AAB shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kinematografisë, me themelimin e Kino-Klubit AAB

Me rastin e 28 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Kinematografisë, në një ceremoni solemne u inaugurua Kino-Klubi AAB, aktivitet i organizuar nga Fakulteti i Komunikimit Masiv  dhe  AAB  Teatri “Faruk Begolli”.

Dekanja e Fakultetit të Komunikimit Masiv, Burbuqe Berisha tha se sot po hapet një kinema joprofitabile, por do të jetë shumë fitimprurëse për avancimin dhe në shërbim të të gjithë studentëve të Kolegjit AAB. “Duke e marrë parasysh që filmi është segment jetësor dhe trajton tema të ndryshme nga të gjitha sferat e jetës edhe Kino-Klubi AAB, do të jetë shumë i dobishëm për ngritjen e debateve dhe për ngritjen e nivelit të kritikës artistike në vend”. Ajo shtoi se në Kino-Klubin AAB, do të këtë regjisorë, producenë, aktorë, skenaristë, dhe mysafirë të shumtë të cilët do t’i shfaqin veprat e tyre dhe do të komunikojnë me studentët për mënyrën e trajtimit të veprave  të ndryshme artistike etj..

Ndërsa regjisori i njohur shqiptar, Ekrem Kryeziu, tha se pret nga studentët që përmes Kino-Klubit AAB, të dalin gjenerata dhe regjisorë të mirë.

“Shpresa ime është se çfarëdo lëmie që studioni të dilini profesionistë, sepse në këtë botë vetëm ata që punojnë profesionalisht mund të ecin përpara”, tha në mes tjerash Kryeziu.

Me rastin e inaugurimit të Kino-Klubit AAB, u shfaq edhe filmi “Kolona”, i regjisorit Ujkan Hysa, njëri ndër filmat më të suksesshëm të prodhimtarisë kosovare në vitet e fundit, i shpërblyer dhe pjesëmarrës në dhjetëra festivale.

Ashtu siç ishte menduar, në fund të filmit u zhvillua edhe një forum bashkëbisedimi, me regjisorin Ujkan Hysaj, ku studentët e Kolegjit AAB u interesuan për realizimin e filmit dhe sfidat me të cilat është ballafaquar regjisori Hysaj gjatë procesit të punës.

Kino-Klubi AAB, mëton që të jetë arenë e hapur e shfaqjes së filmave dhe nikoqir i kineastëve të ndryshëm jo vetëm nga Kosova por edhe më gjërë.

INSTITUTI AAB
APLIKO