Profili Ndërkombëtar

Kolegji AAB është një ndër institucionet më të mira private të arsimit të lartë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, duke përfshirë vendet e Evropës Juglindore dhe rangohet në mesin e kolegjeve premtuese me synim zhvillimi më të qëndrueshëm në fushën e kërkimeve shkencore. Lidhjet tona ndërkombëtare kontribuojnë ndjeshëm në forcimin e bashkëpunimit me universitete, kolegje dhe institucione të tjera të arsimit, duke zhvilluar në këtë mënyrë edhe ndërgjegjësimin e vet institucionit tonë lidhur me zhvillimet globale në fushën e arsimit.

Për më tepër, kolegji AAB është i përqendruar në arritjen e standardeve të larta dhe përsosmërinë në projekte kërkimore ndërkombëtare, anëtarësimin në shumë organizata prestigjioze ndërkombëtare dhe rrjete universitare. AAB gjithashtu mbështet aktivisht mobilitetin e studentëve dhe të stafit akademik. Kolegji AAB ka hyrë në mesin e kolegjeve premtuese të Evropës sa i përket përkrahjes së studentëve dhe stafit akademik, të cilët bëhen pjesë e shkëmbimeve si rezultat i mobilitetit akademik në programin Erasmus. Programet e tjera të Bashkimit Evropian janë gjithashtu shumë të rëndësishme për ne.

Kolegji AAB thekson rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të zbatuar në bazë të marrëveshjeve në nivelin e Kolegjit dhe marrëveshjeve ndëruniversitare dhe ndërmjet kolegjeve të ndryshme. Ky bashkëpunim aktualisht përfshin një numër kolegjesh partnere dhe universitetesh jo vetëm nga rajoni por edhe nga Evropa, SHBA-të etj. Bashkëpunimi me kolegje partnere dhe universitete zhvillohet në një gamë të gjerë fushash duke ngërthyer lëvizjen e studentëve dhe të stafit akademik, përmes projekteve të përbashkëta kërkimore, deri te seminaret, konferencat dhe shkollat verore e dimërore.

Kolegjit AAB poashtu i është dhënë Karta Erasmus për Arsimin e Lartë (ECHE) për periudhën 2021-2027. ECHE është një dokument i lëshuar nga Komisioni Evropian që siguron pjesëmarrjen e Kolegjit AAB në programin Erasmus si dhe përcakton kornizën për menaxhimin e aktiviteteve të programit Erasmus.