Juridik Penal

Cikli: Master
Fakulteti: Juridik
Programi: Juridik Penal (LLM)
Profili: /
Kampusi: Prishtinë

Qëllimi

Ky program njëvjeçar i studimeve pasdiplomike – master, do të ofrojë njohuri solide dhe kuptim sistematik për strukturat institucionale, parimet kyçe juridike dhe kontekstet e caktuara të së drejtës penale.
Programi Penalo Juridik do t’u mundësojë studentëve kualifikime të vlefshme pasuniversitare, sidomos atyre që kanë për qëllim të marrin rolin udhëheqës në procesin e luftës kundër kriminalitetit dhe posaçërisht kundër formave moderne të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas kryerjes me sukses të programit, të diplomuarit do të mund:
• të japin komente origjinale dhe të avancuara, të cilat do t’i plotësojnë standardet e larta shkencore dhe të zhvillojnë shkathtësi kritike, analitike dhe hulumtuese, të cilat mund të zbatohen në shumë fusha;
• t’i zhvillojnë shkathtësitë nga sfera e hulumtimeve juridike akademike, posaçërisht nëpërmjet prezantimit me shkrim të argumenteve në frymën në të cilën i integron rregullat relevante akademike dhe të krijojnë një bazë të mirë lidhur me teknikat e domosdoshme dhe metodat hulumtuese, të cilat janë pjesë e lëndëve të specializuara;
• ta vazhdojnë karrierën e tyre në të drejtën penale në nivel akademik dhe në nivel praktik.

Kohëzgjatja

Kohëzgjatja e studimeve: 1 vit akademik / 2 semestra
Kreditë e fituara: 60 ECTS

Niveli dhe grada akademike

Grada e fituar: LLM Penalo-Juridik.

Lista e lëndëve

Semestri IX

E drejta penale 5 ECTS


Në këtë lëndë studentët do të mësojnë kapitujt e të drejtës penale materiale nga pjesa e përgjithshme me theks të posaçëm në tërsitë tematike të veprave penale në bashkëkryerje dhe veprave penale ku kryesit janë persona të rijnë. Temat në radhitje do të jenë si në vijim. E Drejta penale (pjesa e përgjithshme), Shkenca e së drejtës penale, Metodat dhe marrëdhëniet e saj me shkencat e tjera penale, Veprimi i Ligjit Penal, Interpretimi i Ligjit Penal, Ekstradimi dhe e drejta e azilit, Veprat Penale, Përgjegjësia penale, Fazat e kryerjes së veprës penale, Sanksionet penale, Dënimet, Delikuenca e të miturve dhe trajtimi i tyre në të drejtën penale, Qëllimi dhe llojet e sanksioneve penale ndaj të miturve, Përkufizimi, rëndësia, lënda, përmbajtja dhe sistemi i pjesës së posaçme të së drejtës penale.

Metodologjia e hulumtimit shkencor 4 ECTS

Studentet t’i njohin rregullat dhe kriteret metodologjike të hulumtimit shkencor juridik.Pas përfundimit të këtij kursi studenti do të jetë në gjendje që të kuptojë metodat, procedurat dhe teknikat e shkrimit akademik në nivel të temës së diplomës, masterit etj, të vlerësojë të arriturat e deritanishme metodologjike, të përvetësojë rezultatet më të mira hulumtuese metodologjike, të analizojë kriteret metodat dhe standardet akademike të metodologjisë së hartimit të diplomës, punimit të masterit dhe të doktoratës.

E drejta e procedurës penale 5 ECTS


Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për procedurën penale subjektet e procedurës penale, praktikat më të mira dhe inovacionet procedurale penale në Evropë e më gjerë. Temat në vijim do të jenë: Lënda e procedurës penale; Tipat themelorë historikë të procedurës penale dhe zhvillimi historik i saj në Kosovë; Raporti i të drejtës së procedurës penale me disiplinat e tjera shkencore; Burimet e së drejtës së procedurës penale; Parimet proceduralo-penale; Kodi i procedurës penale të Kosovës, Subjektet e procedurës penale; Veprimi proceduralo-penal; Procesi i të provuarit në procedure penale; Në përgjithësi për procesin e të provuarit; Trajtimi i disa provave, Stadet e procedurës penale; Shqyrtimi gjyqësor dhe aktgjykimi; Procedura me mjetet juridike; Procedura e shkurtër, Procedura ndaj të miturve; Procedurat e veçanta, Procedura për aplikimin e masave për trajtim të detyrueshëm, për konfiskim dhe për revokimin e dënimit alternativ.

Kriminalistika 4 ECTS


Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për të arriturat e reja të heuristikes kriminalistike, e posaçërisht për të arriturat e kriminalistikës silogjistike dhe rëndësinë që ka kjo disiplinë për zbulimin dhe të provuarit e kriminalitetit. Struktura tematike e kësaj lënde do të jetë si në vijim: Bazat shkencore të identifikimit kriminalistik; Kuptimi, bazat shkencore dhe sistemi i taktikës kriminalistike; Taktika e marrjes së masave operative; Metoda iniciale e zbulimit dhe e hetimit të veprave penale; Taktika e zbulimit të motivit të veprës penale, Patrullimi, vëzhgimi, prita dhe racia; Veprimtaria e gjurmimit; Taktika e ballafaqimit; Bazat psikologjike të pyetjes; Simulimi dhe zbulimi i tij; Silogjistika dhe rëndësia e saj në kriminalistiken bashkëkohore, Eksperimenti kriminalistik; Ekspertimi kriminalistik; Metodika e zbulimit dhe e sqarimit të kontrabandës dhe krimit të organizuar; Metodika e zbulimit të terrorizmit; Metodika e zbulimit të vrasjes.

Kriminologjia 4 ECTS


Në këtë lëndë studentët mësojnë dhe nxënë njohuri të thelluara nga Kriminologjia lidhur me gjenezën e kriminalitetit dhe format manifestuese të tij e posaçërisht modalitetet bashkëkohore të krimit si dhe faktorët determinues të këtyre modaliteteve. Struktura e tërësisë tematike do të jetë si në vijim: Kuptimi i shkencës së Kriminologjisë; Metodologjia e studimit të kriminalitetit, Raporti i Kriminologjisë me shkencat e tjera, Teoritë mbi kriminalitetin dhe historiku i mendimeve kriminologjike; Vëllimi dhe struktura e kriminalitetit, Kriminaliteti i organizuar dhe veçoritë themelore, Kriminaliteti dhe llojet e tij, Delikuenca e të miturve; Kuptimi dhe roli i faktorëve kriminogjenë (etiologjisë kriminale); Kriminaliteti dhe format e manifestimit të tij, Faktorët e brendshëm (subjektivë) të kriminalitetit.

Krimi i organizuar 4 ECTS

Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për modalitetet e krimit të organizuar, strukturen, format organizative të tijë si dhe bazen juridike për parandalimin dhe luftimin e tijë. Temat në vijim janë: Kuptimi i lëndes së Krimit të Organizuar si kurs i ri, përkufizimi teoriko shkencor i krimit të organizuar, përkufizimi juridiko penal i krimit të organizuar, korniza institucionale e luftimit të krimit të organizuar, krimi i organizuar dhe terrorizmi ngjashmëritë dhe dallimet.

Lëndët zgjedhore

Krimi kompjuterik 4 ECTS


Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për krimin kompjuterik, veçorit e tij shkathtësitë kibernetike dhe përdorimi i tyre në aktivitet të kundërligjshëm, si dhe do të nxënë njohuri e informata lidhur me parandalimin e këtij lloji të kriminalitetit, do të mësojnë për bllokadat elektronike dhe pengesat e tjera si shkathtësi dhe teknika për ruajtjen dhe mbrojtjen e informatave të karakterit strategjik. Temat në vijim në kuadër të programit janë: Ç’është krimi kibernetikë, sfidat për agjencitë e zbatimit të ligjit, legjislacioni i brendshëm dhe standardet ndërkombëtare, krimi kibernetikë si një vepër penale në legjislacionin e brendshëm, veprat penale kundër të dhënave dhe sistemeve kompjuterike, mashtrimet dhe falsifikimet e lidhura me kompjuterët, veprat penale të lidhura me përmbajtjen (pornografia e fëmijëve, ksenofobia, racizmi), veprat penale të lidhura me pasurinë intelektuale, rreth provave elektronike-përcaktime dhe karakteristika, kërkesat për provat elektronike, ekspertiza kompjuterike, konventa për krimin në fushën e kibernetikës, ndihma e ndërsjellë juridike dhe roli i autoriteteve kompetente.

Viktimologjia 4 ECTS


Në kët lëndë studentët do të mësojnë për qasjen e re dhe të avansuar kriminologjike ku viktima është në një stadë më të avansuar se i dëmtuari apo e dëmtuara që ishin dikur. Do të mesojnë edhe për inovacionet tjera të kësaj fushe, konkretisht për drejtësinë restorative dhe tendencë e pajtimit dhe përafrimit të kryesit të vepres dhe viktimës. Temat në vijim do të jenë: Vikimologjia, tipologjizimi i viktimës, viktima si burim aktiv dhe pasiv i informatave, vlera e viktimologjisë për kriminalistikën, viktimat e gjenocidit dhe krimit të luftës, drejtësia për viktimat, viktimizimi primar dhe sekondar, të drejtat e viktimës.

Semestri X

E drejta penale ndërkombëtare 5 ECTS

Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për bashkëpunimin penal ndërkombëtar, përvojat më të mira të këtij bashkëpunimi, harmonizimin juridiko penal të legjislacionit penal nacional me atë ndërkombëtar. Temat në vijim do të jenë: E drejta penale ndërkombëtare në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare, veprat penale ndërkombëtare; gjenocidi, agresioni, principet e përgjithshme të përgjegjësisë penale ndërkombëtare (individuale ose shtetërore), torturat, terrorizmi, larja e parave, tregtia me njerëz.

Penologjia 5 ECTS


Në këtë lëndë studentët do të mësojnë për rëndesinë e sistemit penitensiar në Kosovë dhe rrolin që ka ky system për risocijalizim dhe riedukim të personave të denuar e sidomos atyre në moshë të re. Do të mesojnë edhe për standardet ndërkombetare lidhur me të drejtat e personave gjatë vuajtjes së denimit. Temat në vijim do të jenë: Kuptimi i Penologjisë (shkencës mbi ekzekutimin e sanksioneve penale); Reagimi ndaj kriminalitetit gjatë historisë; Format e reagimit ndaj kriminalititetit; Kuptimi dhe llojet e sanksioneve penale; Sanksionet penale sipas legjislacionit të ri penal të Kosovës; Sistemet kryesore të ekzekutimit të dënimeve me burgim; Roli i organizatave dhe shoqateve ndërkombëtare per zhvillimin dhe përsosjen e ekzekutimit të sanksioneve penale; Metodat e tretmanit grupor me personat e dënuar; Ekzekutimi i masave edukative ndaj të miturve.

Punimi i diplomës 20 ECTS

Punimet e diplomave

INSTITUTI AAB
APLIKO