Komunikim Masiv dhe Gazetari

Qëllimi dhe profili i programit

Të përgatisë profesionistë të specializuar për tregun mediatik, për institucionet dhe për organizatat në Kosovë e më gjerë, me dije e shkathtësi specifike, për të pasur sukses si profesionistë dhe mendimtarë kritikë si dhe për t’u bërë qytetarë produktivë në shoqëri edhe përmes kërkimit shkencor.

Ne kultivojmë marrëdhënie konstruktive me profesionistët mediatikë dhe industrinë në Kosovë, njëherësh ruajmë autonominë akademike të bazuar në kërkim shkencor. Në këtë mënyrë ne ndihmojmë në përmirësimin e praktikës së gazetarisë përmes kërkimit, mësimdhënies dhe shërbimit përkatës. Ne besojmë se thellimi në studimin e fushave specifike të mediave dhe komunikimeve, ka një rol vital për shoqëritë demokratike në epokën e tanishme të rrjetëzimit, mediatizimit të jetës së përditshme, rrjeteve sociale dhe post-truth. Aplikimi i të kuptuarit kritik të teorive kryesore të komunikimeve, janë pjesa më e avancuar e programit që i bën specialistët e komunikimeve njohës të thellë, vëzhgues kritik dhe praktikues të ndershëm, objektiv dhe të përgjegjshëm të strategjive komunikuese në shoqëri.

Rezultate e pritshme

Titulli i gradës akademike

Master i Komunikimeve Masive dhe Gazetarisë, (MSc)

Kohëzgjatja dhe vëllimi (semestrat, ECTS-të, orët për semestër)

Katër semestra nga 30 ECTS, ose gjithsej 120 ECTS, me kohëzgjatje dyvjeçare. Semestrit i katërt ka gjithashtu 30 ECTS, por është konsultativ ku studenti merret vetëm me përgatitjen e temës së masterit.

Viti I

VITI I Teori dhe koncepte në media dhe komunikime – 8 ECTS

Ky kurs ka për qëllim që duke i trajtuar disa nga teoritë kryesore të komunikimit masiv, ta aftësojë studentin për ta identifikuar aksin teorik të problemeve të komunikimit si kërkim bibliografik me rastin e hartimit të tezës së masterit.

Psikologjia sociale e komunikimit – 8 ECTS

Ky kurs ka për qëllim të ofrojë njohurë të avancuara mbi modelet e komunikimit dhe aftësitë efektive të komunikimit të cilat elaborohen mbështëtur në kontekste të ndryshme në mjedisin e mas mediave. Gjithashtu do të eksplorohen perspektivat kryesore teorike që kanë të bëjnë me efektet sociale dhe psikologjike të medias te shikuesit dhe mënyrat që shikuesit zgjedhin, kuptojnë, interpretojnë dhe reagojnë ndaj përmbajtjes së medias. H

Komunikimi politik në demokraci – 7 ECTS

Qëllimi i lëndës  është që t’i zgjerojë dhe thellojë njohuritë e studentëve për raportet e politikës me median duke iu ofruar atyre mbështetjen teorike shkencore, të cilën pastaj mund ta përdorin në hulumtimet e tyre shkencore.

Studime në gazetari – 7 ECTS

Lënda ka për qëllim që studentëve t’jua ofrojë bazat për të kuptuar teoritë kryesore, diskurset dhe debatet akademike në kuadër të studimeve të gazetarisë. Po ashtu do t’i njohë ata me disa prej fushave kryesore në të cilat zhvillohen hulumtimet mbi gazetarinë siç janë, aspektet e historisë së mediave, të prodhimit të lajmeve, përmbajtjes e lajmeve, gazetaria dhe shoqëria, si dhe tendencat bashkëkohore në mediat e lajmeve.

Publicistikë – 7 ECTS

Qëllimi kryesor i këtij kursi është që t’u ofrojë studentëve njohuri të gjera dhe specifike dhe shkathtësi praktike nga publicistika me qëllim që të jenë të aftë të mund të analizojnë një tekst publicistik, të diskutojnë dhe analizojnë një publicist a shkrimtar për të hartuar një artikull gazetaresk.

Komunikimi organizativ dhe korporativ – 7 ECTS

Kjo lëndë synon t’u ofrojë studentëve njohuri specifike nga fusha e komunikimit organizativ dhe korporativ, të njohin në mënyrë sa më përmbajtësore teoritë kryesore të komunikimit organizativ, strukturën, proceset dhe funksionet e komunikimit në një organizatë.

Kërkimi në gazetarinë radiotelevizive – 7 ECTS

Qëllimi kryesor i këtij kursi është që t’u ofrojë studentëve dije teorike specifike dhe shkathtësi praktike nga gazetaria radiotelevizive dhe kerkimi shkencor ne keto media ne epoken digjitale dhe ate te rrjeteve sociale.

Marrëdhënie publike strategjike – 8 ECTS

Qëllimi kryesor i këtij kursi është që t’u ofrojë studentëve dije teorike specifike dhe shkathtësi praktike nga strategjitë e marrëdhënieve publike në epokën e rrjetëzimit të shoqërisë dhe post-truth-it.

Metodat e kërkimit në media dhe në shkencat e komunikimit – 8 ECTS

Ky kurs ka për qëllim që ta aftësojë studentin mbi proceset e realizimit të punimeve shkencore, me objektin, kuptimin, qëllimin dhe metodat e realizimit të tyre, dhe specifikisht t’i orientojë ata drejtë kryerjes së kërkimeve bashkëkohore shkencore në gazetari, media dhe shkencat e komunikimit.

Marketing medial – 7 ECTS

Lënda ka për qëllim përvetësimin e njohurive teorike dhe shkathtësive praktike të studentëve, të cilat do të mundësojnë ndërtimin e kompetencave në fushën e marketingut medial në mënyrë që studentët të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur të udhëheqin me procesin e vazhdueshëm ne ndryshimet e shpejta te paraqitjeve te vlerave për audiencën, tregun dhe bizneset.

Viti II

Seminar përgatitor për tezën MA – 8 ECTS

Qëllimi i përgjithshëm i kursit është që t’u ofrojë studentëve mundësinë praktike për ta përmirësuar aftësitë dhe shkathtësitë e tyre për të shkruar projekt-tezën dhe tezën e masterit.

Etika e medias dixhitale – 7 ECTS

Lënda eksploron çështjet etike të qenësishme në përdorimin e mediave dixhitale dhe online. Duke i trajtuar një sërë çështjesh dhe temash aktuale përmes aplikimit të teorive të rëndësishme morale dhe marrë parasysh se si teknologjitë e reja shpesh sfidojnë atë që dimë për moralin, etikën dhe vlerat. Ne do të përdorim analizën e rasteve studimore për të inkurajuar reflektimin dhe diskutimin mbi çështjet bashkëkohore në etikën dixhitale.

Komunikimi global dhe identiteti – 7 ECTS

Ky kurs synon që të ngrisë dhe zgjerojë fushën e dijes si dhe ndikimin e medias në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Lënda  përmban dëshmi nga e kaluara historike dhe kultura e tanishme për perceptimin dhe raportet që ndërtojnë mediat me opinionin qoftë vendor apo ndërkombëtar dhe reflektimi i ngjarjeve në arenën vendore e më gjerë.  E gjithë kjo me qëllim që studentët të aftësohen për të hulumtuar dukuritë që krijohen në raport me median dhe globalizmin.

Komunikimi, kultura dhe qasjet - 7 ECTS

Qëllimi i lëndës është që t’i njohë studentët me raportet e kulturës me median dhe shoqërinë e po ashtu t’i aftësojë ata për të hulumtuar dhe studiuar këto raporte. Për të arritur në një nivel të tillë, gjatë kursit do të trajtohen konceptet themelore të kulturës, institucionet kulturore, mediat si transmetuese/raportuese të kulturës dhe mediat si krijuese të kulturës.

Media dhe kultura digjitale – 8 ECTS

Qëllimi i kësaj lënde ka të bëjë me aftësimin e studentëve mbi tiparet, formën, efektet, si dhe kritikat mbi mediat e reja të periudhës digjitale, për të aftësuar ata për të punuar në industrinë e mediave të reja, t’i njohin ato deri në nivele drejtuese, të kënë aftësi të përshtaten në realitetin e ri mediatik dhe të përshtasin kompetencat e tyre profesionale në funksion të ndërtimit të mesazheve mediatike efikase dhe sipas kërkesave të audincave.