Aktuale

​​Lipjani sot në zi

Me vendim të kryetarit të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti sot është shpallur ditë zie në komunën e Lipjanit.
Dita e zisë është shpallur për të ndarë dhimbjen me familjet Retkoceri e Tmava me rastin e humbjes së jetës së Leonard Retkocerit dhe Sahit Tmavës.

Të dy këta kanë vdekur në aksidentin që ka ndodhur dje në fshatin Duhël, ku përveç dy të rinjve nga Lipjani bashkë me ta ka humbur jetën edhe një I ri nga Prishtina.

Komuna e Lipjanit, anulon të gjitha aktivitetet politike dhe aktivitete të tjera që janë paraparë të mbahen të dielën.

Ndërkohë, sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018 dhe të tjerët, 15, këtë vit.

Kujtojmë se dje në fshatin Duhël ka ndodhur një aksident ku janë përfshirë një veturë, një kamion dhe një kamionetë. Në këtë aksident kanë vdekur tre të rinj.

Kurse një tjetër aksident tjetër që ka ndodhur dje në Vitomiricë ku janë të përfshira dy vetura, ka mbetur i vdekur një 63 vjeçar me inicialet N.R, ndërsa dy gra të tjera janë lënduar, njëra prej të cilave me lëndime të rënda trupore.

Policia e Kosovës kërkon dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut, të përqendrohen në ngasje.

Një apel të ngjashëm dhe me disa rekomandime ka dhënë dje edhe Insituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Sipas IKSHP-së nëse nuk ndërrmeren masa atëherë humbja e jetës në aksidente do të jetë I madh.