Rajon & Botë

​​Tetë të vdekur dhe 20 të plagosur nga sulmi terrorist në Nju Jork

Të paktën 8 persona janë vrarë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën, pasi një person sulmoi me kamion një grup çiklistësh dhe këmbësorë në Manhattan tw Nju Jorkut, njoftuan autoritetet amerikane.

“Një person sulmoi sot çiklistë në një akt terrorizmi që shkaktoi tetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Manhattan”, deklaroi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

“Duke u bazuar në informacionet në dispozicion, ky është një akt terrorizmi”, theksoi kryebashkiaku demokrat, gjatë një konference për shtyp në vendin e aksidentit, në jugperëndim të Manhatanit, në prani të shefit të policisë njujorkeze dhe të guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut.

Policia ka njoftuar se sulmuesi pasi ka kryer sulmin, ka lënë automjetin duke mbajtur në dorë një armë të rreme, përpara se të qëllohej nga policia dhe ta arrestonin. Guvernatori i Shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo dhe kryetari Bill de Blasio, u informuan për incidentin në vendngjarje. Po ashtu edhe presidenti Donald Trump është informuar për sulmin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë të prekurit”, tha zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders. Nju Jorku, i cili është edhe qyteti i ekonomisë amerikane dhe krenaria e këtij vendi, që ka 8.5 milionë banorë, përjetoi sulmin më të tmerrshëm terrorist, kur u sulmua Qendra Botërore Tregtare, apo siç njiheshin Kullat Binjake. Po ashtu ka pasur në vazhdimësi alarme për sulme terroriste, duke u arritur që të parandaloheshin disa sulme terroriste të planifikuara, transmeton KosovaPress.