Aktuale

​ 50 familje përfitojnë banesa sociale

Komuna e Prishtinës ka publikuar sot emrat e përfituesve të 50 banesave sociale që janë ndërtuar në Hajvali të Prishtinës.

Komisioni Komunal për Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Familjeve që kanë aplikuar në programin për shpërndarjen e 50 banesave sociale, ka përfunduar sot vlerësimin dhe përzgjedhjen e atyre familjeve.

Si rezultat i punës së këtij komisioni, nga 50 familje që kanë përfituar nga ky program, 86% (ose 43 familje, prej të cilave 14 nëna vetëushqyese) kanë të hyra mujore më pak se 150 euro, kurse 7 familjet e tjera kanë të hyra mujore nga 150 deri në 250 euro.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në  një konferencë për media tha se  për të fituar strehim kanë aplikuar 331 familje prej të cilave 301 kanë nevojë për banesa.

 

“Kanë aplikuar në total 331 familje të cilat kanë konkurruar për të fituar nga programi. 301 prej tyre i kanë plotësuar kushtet dhe janë verifikuar në terren. 301 familje i përmbushin kushtet që të kenë nevojë për banim ndërkaq 50 prej tyre u kemi ndarë banesa”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti tha se  komuna që ai drejton gjatë tri deri në pesë vitet e ardhshme do t’i strehojë 250 familje në nevojë, ndërsa  procesin e përzgjedhjes së banesave e ka vlerësuar si shumë transparent dhe model për komunat tjera.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se ka pasur raste kur familjet edhe kanë gënjyer për kushtet ndërkohë që, sipas tij këto banesa përfituesve u jepen për afat 3 vjeçar.

 

“Mendoj se ky proces duhet të shfrytëzohet si model edhe nga komunat e tjera për shkak se gjatë procesit kemi has edhe në diskutime të interpretimit ligjor, që ndoshta për herë të parë është bërë për një kategori të tillë për 50 banesa. Është një rregull që njerëzit të gabojnë ,dikush mund të gënjejë dikush mund të ndryshoj krejt storien. Ka familje të cilat iu ka ndërtuar shtëpia e re ndërsa vazhdon të jetojë në një shtëpi të vjetër në mënyrë që të përfitojë më shumë donacione, por në përgjithësi jam i kënaqur me punën e komisionit, tha Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit që ka bërë përzgjedhjen e këtyre banesave tha se komisioni e ka kryer punën në mënyrë më të mirë të mundshme. Sipas tij ka pasur një bashkëpunim edhe me qytetarët dhe OJQ-të për një përzgjedhje sa më reale.

 

“Komisioni ka bërë përpjekje që ta kryejë  këtë proces në mënyrën më transparente, të ligjshme dhe të drejtë”, tha Cakolli

Afati për ankesa në komunën e Prishtinës për aplikuesit e pakënaqur do të jetë 10 ditë, ndërkaq 30 ditë të tjera do të jenë afat për deponim të ankesës në Ministri./KosovaPress/