​Botërori i F1 nis në fundjavë. Një kampionat me plot risi

Këtë fundjavë ngre siparin kampionati i ri botëror i Formulës 1. Viti 2017 nis me një sërë risish, duke filluar që nga ndryshimi i pronësisë, që ka kaluar në duart e “Liberty Media”-s.
Ndryshime të rendësishme kanë pësuar edhe makinat, apo rregullorja e këtij botërori, dhe e gjithë kjo u bë në mënyrë që të rritet edhe më shumë spektakli i këtij kampionati.Makinat ndryshojnë përmasat e tyre, duke u bërë më të mëdha. Pjesa e përparme e tyre kalon nga 1.650 mm në 1.800 mm, ndërsa ajo e pasme është më e gjatë, por më e ulët. Gjerësia e makinave në tërësi arrin në 2.000 mm nga 1.800 që ishte deri tani. Po kështu është rritur edhe pesha me rreth 20 kg, ndërkohë që në kofanon e pasme është shfaqur edhe i ashtuquajturi “bishti i peshkaqenit”. Këtë vit, makinat do të jetë 3-5 sekonda më të shpejta sesa vitin e kaluar, e kjo u pa edhe në testet e Barcelonës. Pilotët hyjnë në kthesë shumë më shpejt dhe mund ta ruajnë atë falë edhe aerodinamikës dhe gomave të reja. Po kështu rritet edhe konsumi i energjisë së pilotëve, gjë që do të shihet më qartë në fund të garave.Përsa u përket gomave, përmasat e tyre këtë vit rriten nga 325 mm në 405 mm për gomat e pasme dhe nga 245 mm në 305 mm për gomat e përparme.
Kjo e shtyu “Pirelli”-n që të krijojë një gomë më rezistente dhe që me shumë mundësi do të kërkojë më pak “pit stop”-e gjatë garave.Ndryshime kanë pësuar edhe vet skuadrat. Botërori i këtij viti nuk do të ketë në pistë kampionin në fuqi, Nico Rosberg, që i dha lamtumirën Formulës 1 në fund të sezonit të 2016-s, gjë që ndodh për herë të parë që nga viti 1994, kur Alain Prost fitoi titullin dhe më pas u tërhoq.Nuk do të jetë në garat e këtij viti as Jenson Button, ndërkohë që nuk do të mungojnë pilotë të tjerë kampionë bote, Lewis Hamilton, Sebastian Vettel, Kimi Raikkonen apo Fernando Alonso. Për këtë vit, hyrjet e reja janë Vandoorne me McLaren dhe Lance Stroll me Williams. Kampionati botëror i Formulës 1 këtë vit ka në kalendarin e tij 20 gara dhe do të nisë me Melbourne, për t’u mbyllur më 26 nëntor në Abu Dhabi.