Sport

​De Biasi: Ndihem si një shqiptar

Trajneri italian ka konfirmuar largimin nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Gianni De Biasi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke paralajmëruar largimin me të përfunduar faza kualifikuese për Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’.

Ai ka treguar se është mërzitur shumë nga kritikat që ka marrë kohëve të fundit, por ka kujtuar edhe se në kohën që ka punuar me Kombëtaren, është ndjerë si një shqiptar.

“Aventurën me Shqipërinë e konsideroj si të jashtëzakonshme”, ka thënë De Biasi.

“Është eksperienca më e bukur e jetës sime. Jam ndjerë si shqiptar. Erdha këtu me paragjykime dhe më pas gjeta një ambient shumë ndryshe. Në këtë eksperiencë jam rritur shumë”.

“Ka qenë një ecuri besoj se mjaft pozitive me shumë rritje, duke përjashtuar ecurinë e fundit me pesë humbje radhazi. Shkuam edhe në pozicionin e 22-të në renditjen e FIFA-s”, theksoi italiani.

Me De Biasin, Shqipëria ka arritur suksesin më të madh në historinë e saj, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’.