Sport

​FIFA ndryshon rregullat për transferime

FIFA është duke planifikuar ta ndryshojë rregullën për numrin e lojtarëve që i lejohet një klubi t’i huazojë gjatë një sezoni. Sipas rekomandimeve, një klub do të ketë mundësi t’i huazojë vetëm 8 lojtarë brenda sezonit.
Klubi i cili do të preket më së shumti nga ky vendim do të jetë Chelsea, pasi sistemi i tyre parashikon që lojtarët e rinj të huazohen në klube të tjera vazhdimisht. Klubi i cili merr më së shumti lojtarë nga Chelsea është Vitesse Arnhem, transmeton Gazeta Express.

Por, SportBild tani raporton se ky rregull do të jetë i vlefshëm vetëm për lojtarët mbi moshën 21-vjeçare. Por, ata presin që FIFA të bëjë një rregull të ngjashme edhe për lojtarët edhe më të rinj, të cilët huazohen nga klubet e tyre.

“Talentet nën moshën 21-vjeçare do të kenë mundësi të huazohen ende pa shuma të limituara, pasi që huazimi mund t’i ndihmojë në zhvillimin e tyre”, shkruan SportBild.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte folur për këto plane që në shkurt, kur kishte thënë se është e rëndësishme që të rregullohet me ligj numri i lojtarëve që një klubit i lejohet t’i huazojë brenda sezonit.

Chelsea ka dërguar në huazim gjithsej 40 lojtarë këtë sezon, përfshirë këtu lojtarë si Tiemoue Bakayoko, Kurt Zouma dhe Michy Batshuayi. Ndërsa, portieri Matej Delac, tani 26-vjeçar, ka shpenzuar tetë vitë në Chelsea, por gjithmonë ka qenë i huazuar diku tjetër. Gjatë afatit kalimtar të verës, ai u largua nga Chelsea përfundimisht. /Gazeta Express/