Sport

​“Giggsi duhet të ishte zgjedhur si pasues i Fergusonit”

Pjesëtari i stafit të trajnerëve të Manchester Unitedit gjatë katër sezoneve të fundit të Alex Fergusonit në klub, Rene Meulensteenm, beson se situata në klub do të ishte shumë më e mirë tani nëse ata do ta kishin emërua Ryan Giggsin si pasues të Fergusonit, në vititn 2013.

Trajneri legjendar i Manchester Unitedit u largua nga Old Traffordi pas 26 viteve në klub. Ai ishte pjesë e vendimmarrjes për pasuesin e tij, dhe e zgjodhi ish-trajnerin e Evertonit, David Moyes, por bashkëkombësi i tij u shkarkua nga puna brenda vitit të parë në atë pozitë, përcjell Gazeta Express.

Giggsi u emërua si ushtrues detyre deri në momentin kur Louis van Gaali u caktuar për pozitën e trajnerit. Por, edhe Van Gaal arriti të qëndrojë vetëm për dy vite dhe pastaj u largua për shkak të mungesës së sukseseve.

Pas tij erdhi Jose Mourinho, i cili tani është duke e drejtuar skuadrën e Manchester Unitedit për të tretin sezon. Megjithatë, ende asnjë trajner nuk ka arritur ta përsërisë në Old Trafford suksesin që kishte treguar Alex Fergusoni.

Muelensteen beson se situata mund të kishte qenë shumë më e mirë nëse menjëherë pas pensionimit të Fergusonit, Giggsi do të ishte emëruar në pozitën e trajnerit.

“Në United kishte stabilitet dhe vazhdimësi, Fergusoni, David Gill, Glazersat. Ishte duke funksionuar për mrekulli”, ka thënë Muelensteen për Evening Standard.

“Duke e ditur se Giggsi dëshironte ta fillonte karrierën si trajner, ai ishte duke i përfunduar kurset e UEFA-s. Ai e njihte klubin nga brenda, kulturën, identitetin, ai dinte gjithçka. Kjo është një mënyrë, një strategji, e cila mendoj se mund të kishte qenë e suksesshme”.

“Pasi që vendosën se do ta sjellin dikë nga jashtë, e dija menjëherë se nuk do të ishte e rëndësishme kush do të jetë, e dija se nuk do të funksiononte. Por, natyrisht, për David Moyes ishte shumë e vështirë pasi ai nuk kishte luajtur dhe nuk kishte menaxhuar kurrë nj klub të këtij niveli”.

“Nëse ata do ta kërkonin Mourinhon, Ancelottin, Guardiolën, apo Heyncks, i cili kishte punuar në Real Madrid, Barcelonë e Bayern Munich, ata nuk do të pranonin. Ata i dinin pritshmëritë në këtë klub dhe do ta kishin respektuar rëndësinë dhe ndikimin që mund të ketë një epokë 26-vjeçare e Fergusonit”. /Gazeta Express/

the authorE B