Sport

​Kaq para janë grumbulluar për gjetjen e lojtarit të zhdukur

Deri më tani, në fondacionin e nisur nga familja e lojtarit të Cardiff Cityt, Emiliano Salas, për t’i vazhduar kërkimet janë grumbulluar 150 mijë euro.

Pas lajmit se kërkimet për lojtarin e zhdukur të Cardiff Cityt, Emiliano Salan, nuk do të vazhdojnë, një numër i madh i futbollistëve të famshëm kanë dhuruar para për ta financuar vazhdimin e kërkimit, transmeton Gazeta Express.

N’Golo Kante, Ilkay Gundogan, Clorentin Tolisso, Lucas Lima, Geoffrey Kondogbia, Benoit Costil, Leo Dubois, Demaray Gray, Fabio, Clement Grenier dhe Nordi Mukiele janë disa lojtarët që kanë kontribuar në fondacionin e themeluar nga familja e Salas.

Kërkimi për sulmuesin argjentinas, i cili u transferua te klubi i Premierligës javën e kaluar, përfundoi të enjten, pasi që policia e Guernsey vendosi të mos e vazhdojë këtë proces pasi që nuk gjeti asnjë shenjë të aeroplanit gjatë tri ditëve të kërkimit.

Por, familja e Salas nuk është e gatshme të dorëzohet dhe tani është bërë e ditur nga e përditshmja angleze, The Sun, se ata do të paguajë anije dhe aeroplanë për ta gjetur Salan dhe për ta zbuluar se çfarë i ka ndodhur atij.

Nëna e argjentinasit, Mercedes Sala, është duke udhëtuar sot për në ishujt afër vendit ku dyshohet se është rrëzuar aeroplani. Në këtë vend tashmë ka arritur agjenti i lojtarit të zhdukur, Meissa N’Diaye.

Dje, motra e Salas, Roma, duke qarë, kërkoi nga policia që të mos i ndalin kërkimet derisa ta gjejnë vëllain e saj, i cili është zhdukur që katër ditë.

“Ju lutem, ju lutem, ju lutem mos e ndaloni kërkimin. Nga thellësia e zemrën time e di se Emiliano është një luftëtar dhe ai dhe piloti janë diku në mes të kanalit. Ata nuk do të dorëzohen, kështu që ju lutem mos i ndalni kërkimet”, ka thënë Romina Sala.

Policia ka bërë të ditur se ka shumë pak mundësi që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar. Aeroplani i tyre po udhëtonte nga Nantes në Cardiff dhe u zhduk pasi e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe.

Sala kishte udhëtuar me të njëjtin aeroplan edhe për udhëtimin e tij nga Cardiffi në Francë dhe sapo kishte zbritur, u kishte thënë miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij se udhëtimi nuk kishte qenë i rehatshëm.

Kur e nisi udhëtimin për t’u kthyer te klubi i tij i ri, Sala i dërgoi mesazh miqve të tij duke i thënë se aeroplani ishte duke i bërë disa zhurma të çuditshme. Disa media angleze raportuan se aeroplani e kishte pasur të vështirë edhe të nisej dhe kishte provuar katër apo pesë deri sa më në fund ishte nisur. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli