Aktuale

​Limaj: Nisma është alternative që garanton zhvillimin e Llapushës

Lideri i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj tha në Drenoc të Malishevës se është dëshmuar së në këtë komunë Nisma është forca e vetme politike.

Limaj tha se më 19 nëntor shkojnë për të rikonfirmuar fitoren që kanë shënuar më 22 tetor.

Kreu i Nismës ka ftuar gjithë qytetarët pa dallim partie, të bashkohen rreth kandidatit të Nismës dhe shtoi se më 19 nëntor janë dy alternativa, është alternativa e zhvillimit dhe alternativa që dëshiron ta ndalë zhvillimin.

“Sot kemi dy alternativa, është alternativa e zhvillimit, është alternativa e fuqizimit të Malishevës, është alternativa e vazhdimit të punëve të mira dhe investimeve në Malishevë, është alternativa e vënies së perspektives për të rinjtë dhe të rejat, është alternativë cila ka çliruar ka relaksuar marrëdhëniet ndernjerëzore në Malishevë. Alternative që garanton forcimin e Llapushës, e cila garanton kthimin fuqizimin e projekteve dhe hap perspektiva tjera për të rinjtë punësimit të rinjve. Dhe në anën tjetër keni alternativën, e cila dëshiron ta ndalë këtë zhvillim. E cila përpiqet dhe kërkon që ky pozicion i Malishevës të devijohet, të ndalet zhvillimi i Malishevës”, tha Limaj.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi tha se sonte po dëshmohet se fitorja e Nismës është e sigurt dhe shtoi se qeverisja që po ndodh në Malishevë do ta kishte për lakmi çdo komunë e Kosovës. Por sipas tij mundësitë edhe me të mira për të punuar ia ka pamundësuar qeverisja qendrore, e cila nuk e ka ndihmuar kryetarin Begaj, por e ka lënë vet.

“Këtë qeverisje që po ndodh në Malishevë, duke marrë parasysh edhe rrethanat që ka qeverisur Malisheva, këtë qeverisje do ta kishte lakmi çdo komunë tjetër. Ekipi i kryetarit Begaj edhe për katër vitet e ardhshme, besoj sepse këtë po e dëshmoni ju, ka bërë një qeverisje që vërtetë ka marrë përgjegjësi para qytetarëve dhe ka dhënë përgjegjësi. Mirëpo ka pasur hendikep të madh, sepse ishte në qeverisje i vetmuar, nuk kishte asnjë përkrahje nga qeveria qendrore. Kjo i ka zbeh ato mundësitë me të mira, që Malisheva të qeveriset më mirë”, theksoi Bytyçi.

Bytyçi kërkoj që më 19 nëntor fitorja e Nismës të jetë madhështore.

Kurse deputeti, Enver Hoti theksoi se nuk ka asnjë dilemë se Nisma do të fitojë më 19 nëntor, pasi fitorja është vendosur më 22 tetor. Hoti tha se nuk pritet asgjë nga kandidati i PDK-së dhe as vet kjo parti dhe sipas tij vet slogani i PDK-së është mashtrues.

Hoti tha se e mira për Malishevën është kryetari Ragip Begaj dhe kryetari Fatmir Limaj, ndërsa e ka quajtur Drenocin zemra e Nisma për Kosovën. Ai ka akuzuar PDK-në se ka tentuar prishjen e procesit zgjedhor më 22 tetor, derisa i ka dërguar selam këtij subjekti që të mos tentoi ta prish procesin e 19 nëntorit, raporton KosovaPress.