Rajon & Botë

​Macron i bën presidentit kinez një dhuratë kalorsiake

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka nis sot vizitën e parë shtetërore në Kinë do t’i dhurojë homologut të tij kinez, Xi Jinping një kalë të Gardës së Republikës.

“Një diplomaci e pazakontë, por një veprim miqësor kundrejt vendit mikpritës”, njoftoi për median presidenca franceze.

“Gjatë vizitë së tij në Paris në 2014, presidenti Xi u shoqërua nga Rezidenca Kombëtare e Veteranëve të Luftës deri në Elize nga 104 kalorës së Gardës së Republikës dhe ishte mrekulluar nga kjo mënyrë pritjeje mjaft e rafinuar”, sqaroi presidenca.

“Me dëshirën për të vendosur lidhje miqësore me kreun e shtetit të huaj, më shumë se një dhuratë, Emmanuel Macron ka dashur të bëjë një veprim diplomatik”, theksoi ajo.

Ky gjest është një formë përgjigjeje ndaj diplomacisë kineze të pandave, pasi me anë të saj, në vitin 2012 Pekini i vuri në dispozicion për një periudhë të caktuar Francës një çift pandash, ku i porsalinduri i tyre ”u pagëzua” në nëntor nga bashkëshortja e presidentit, Brigitte Macron.