Sport

​Nolito: Guardiola nuk ka besim në mua

Futbollisti Nolito ka thënë se trajneri i Manchester City Pep Guardiola nuk ka besim më tek ai, por pret që të qëndrojë ende në Premier League ose të kthehet në Spanjë.

Ai ka thënë se është i vullnetit që të kthehet në radhët e skuadrave Celta Vigo dhe Sevilla, por nuk pret që e ardhmja e tij të zgjidhet për një kohë të shkurtër.

Nolito ka luajtur vetëm nëntë takime në Premier League sezonin e kaluar dhe ka bërë me dije se dëshiron të kthehet në Spanjë, për t’i dhënë vetes mundësi që të jetë pjesë e ekipit në Kupën e Botës vitin e ardhshëm.

“Nga dhjetori deri në verë kam luajtur shumë pak. E tëra që dëshiroj është që të luaj dhe nëse kam shanse dua të largohem dhe të kthehem në Spanjë. Unë dua të luaj dhe mendoj se Guardiola nuk ka më besim në mua”, ka thënë ai.

Nolito mendon se City dëshiron një shumë të madhe parash për secilën nga skuadrat që dëshirojnë angazhimin e tij në radhët e veta.

“Nuk merakosem nëse do të shkoj në Sevilla, Celta ose në ndonjë skuadër tjetër. Mendoj se City do të dëshirojë një shumë të madhe, sepse ka paguar për mua”, ka thënë Nolito. /KosovaPress/