Ekonomi

​Organizatat buxhetore të përmirësojnë menaxhimin e kontrollit financiar

Shumica e organizatave buxhetore duhet ta përmirësojnë menaxhimin e kontrollit financiar, duke përpiluar listat e rrezikut. Po ashtu, këto organizata nuk kanë komitet për auditim.

Janë 108 organizata që kanë obligim të raportojnë për kontrollin e brendshëm për financat publike, ku prej tyre kanë raportuar 95 organizata.

Kjo u bë e ditur gjatë shqyrtimit të raportit vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Shqetësuese mbetet për Faton Topallin, nga Vetëvendosje, kryetar i këtij Komisioni, se si 77 përqind të organizatave buxhetore vlerësojnë se kontrolli i brendshëm bëhet pjesërisht.

“Ajo që më shqetëson shumë e që do të duhej më shumë pozitën ta shqetësonte, është se 77 për qind e organizatave buxhetore, sa i përket menaxhimit të rrezikut, pohojnë se kontrolli financiar funksionon pjesë risht, respektivisht se ka nevojë për përmirësime. Është një vlerësim jashtëzakonisht i keq i brendshëm i organizatave buxhetore për punën që bëjnë ato”, tha Topalli.

Anëtari tjetër i Komisionit, nga PDK, Avdyl Imeri tha se organizatat buxhetore duhet përmirësuar menaxhimin e kontrollit financiar. Megjithatë, ai kërkoi ta di se edhe sa kohë duhet pritur që ta mësojmë sa është pasuria publike në Kosovë.

“Shqetësuese që vërehet edhe në auditim të brendshëm dhe të jashtëm, është pasuria publike, kjo ende nuk dihet. Edhe sa kohe neve na duhet me ditë sa është pasuria publike e jona?”, ka pyetur Ymeri.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, anëtar i këtij Komisioni, Naim Fetahu, u interesua të di për pavarësinë e punës së auditorëve në kontrollin e brendshëm, ku drejto ri i Njësisë Qendrore Harmonizuese për Auditimin e Brendshëm, Kosum Aliu tha se ka qenë vetëm një rast, ose një auditor, që nuk i është bindur urdhrave të shefit të tij.

Po ashtu Fetahu ka kërkuar sqarim lidhur me numrin e organizatave buxhetore për funksionin e auditimit të brendshëm.

“Tek njësit thuhet se prej 71 njësi të auditimit të brendshëm, 68 kanë raportuar, më vonë del në faqen 15 të raportit se funksionin e auditorit të brendshëm të vitit 2015 nuk e kanë zbatuar 17 organizata buxhetore, të cilat nuk e kanë komitetin e auditimit të brendshëm…”, tha Fetahu gjatë kërkesës për sqarim.

Në raportimin e tij, drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese për Auditimin e Brendshëm, Kosum Aliu tha se sfidë mbetet ngritja e llogaridhënies së organizatave buxhetore për financa t publike. Po ashtu, sipas tij, ka mungesë të numrit të auditorëve të brendshëm. Aliu tha se ndër sfidat tjera është se shumica e organizatave buxhetore nuk i kanë regjistrat e rreziqeve në këtë fushë.

Aliu duke raportuar në këtë Komision tha se prej rekomandimeve kanë mbetur rreth 100 sosh pa u implementuar.

“Një prej sfidave është edhe menaxhimi i rrezikut, ne kemi punuar dhe do të punojmë për përmirësimin e procesit të menaxhimit të rrezikut dhe përgatitjen e regjistrave të rreziqeve nëpër organizata buxhetore. Ne sot gjatë auditimit gjejmë se shumica e organizatave buxhetore ende nuk kanë përpiluar regjistrat e rreziqeve dhe këto janë rekomanduar të krijohen në fazën e planifikimit”, tha Aliu.

Ali Sadriu, anëtar i Komisionit nga radhët e LDK-së, ngriti çështj en e organizatave buxhetore të cilat sipas tij janë 13 prej tyre që nuk kanë përmbushur pyetësorin për vetëvlerësimin e menaxhimit financiar.

Komisioni pa media hartoi rekomandime për auditorin e brendshëm për implementimin e tyre në 2016.

Përndryshe, të gjitha organizatat buxhetore për çdo vjet janë të obliguara të plotësojnë një pyetësor vet-vlerësues me rreth 106 pyetje, ku në bazë të cilave auditori i brendshëm identifikon funksionimin e sistemit të brendshëm për të gjithë organizatat buxhetore. Krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të numrit të organizatave prej 6.75 për qind të deklaruesve në këto lista vet-vlerësuese. /KP