Sport

​Ozil: Ronaldo më bëri lojtar më të mirë

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil, e ka pranuar se nuk ka parë kurrë një njeri si Cristiano Ronaldo dhe se ky i fundit i kishte ndihmuar atij të përmirësohej si lojtar, kur ishin së bashku në Real Madrid.

Ronaldo dhe Ozili i kishin kaluar tre vite së bashku në Santiago Bernabeu dhe gjatë kësaj periudhe kishin arritur ta fitojnë titullin e La Ligës dhe Copa del Rey. Ozili vazhdimisht asistonte për Ronaldon, i cili njihet si një ndër golashënuesit më të mirë, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, verën e vitin 2013, Ozili u transferua në Arsenal, ku ende luan. Por, tani edhe Ronaldo është ndarë nga skuadra e Real Madridit, pas nëntë viteve. Ai u transferua gjatë afatit kalimtar të verës në Juventus për 112 milionë euro.

Që nga koha kur ishin bashkëlojtarë, Ozili ka arritur ta fitojë Kupën e Botës me Kombëtaren e Gjermanisë, ndërsa Ronaldo ka fituar katër Liga të Kampionëve, si dhe është pesë herë fitues i Topit të Artë.

“Një gjë tjetër për të cilën njerëzit gjithmonë më pyesin është se si ishte të luaja më Cristiano Ronaldon dhe e gjitha që mund të them është se kurrë nuk kam parë një njeri si ai”, ka thënë Ozili.

“Ai punon me të vërtetë shumë dhe ishte gjithmonë i pari në stërvitje, si dhe largohej i fundit. Ai është një profesionist dhe gjithmonë kërkonte të fitonte, edhe në ndeshjet gjatë stërvitjeve. Normalisht, unë e shikoja se çfarë bënte, edhe gjërat më të thjeshta si teknika e gjuajtjes”.

“Më pëlqente të luaja me të sepse ai më bëri më të mirë në fushë dhe ai është një djalë i mrekullueshëm edhe jashtë fushës. I bëra atij shumë asiste dhe ai nuk ka nevojë që unë t’ia rikujtoj këtë gjë”.

“Ishte e lehtë të luaja me të sepse nuk kishim nevojë të krijonim shumë raste. Edhe nëse i bëja vetëm dy pasime, ai i shënonte dy gola dhe për këtë arsye, ai është njëri ndër futbollistët më të mirë në histori të futbollit”. /Gazeta Express/

the authorE B