Aktuale

​Votuesit e AKR-së, Pacollin duhet ta kemi edhe në krye të shtetit

Partia të cilën ai e themeloi, sot po e voton për një mandat të ri si president të saj. Aleanca Kosova e Re ka hapur vendvotimet në të gjitha degët e saja, ku përmes kutive të votimit anëtarët dhe qytetarët po votojnë pro ose kundër kandidatit të vetëm për president të partisë, Behgjet Pacollit.

Dega e AKR-së në komunën e Gjilanit ka hapur vendvotimit nga mëngjesi i sotëm. Procesi i votimit po bëhet sipas parimit një anëtarë një votë.

Kryetari i degës së AKR-së në Gjilan, Ismet Hajdini, tha për KosovaPress se deri në mesditë procesi i votimit për të parin e AKR-së ka shkuar në rregull dhe pa probleme.

 

“Ky është vendvotimi kryesorë i degës së Aleancës Kosova e Re në Gjilan. Sot ky vendvotim është hapur në orën 07:00 dhe do të vazhdojë votimi deri në orën 19:00. Përveç këtij vendvotimi kemi edhe vendvotime në nëndegët në zonat rurale, ku sipas informatave që i kemi deri në këto momente procesi është duke shkuar normalisht. Për shkak që sot është ditë pune presim që fluksi i votuesve të jetë pasdite edhe më i madh sesa që është tani. Deri tani jemi të kënaqur me fluksin, por pasdite presim që të jetë edhe më i madh, sidomos prej orës 16:00 deri në orën 19:00”, tha ai.

I pari i AKR-së në Gjilan bëri të ditur se të drejtë vote sot kanë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e AKR-së.

Klodina Krasniqi, anëtare e AKR-së pasi votoi tha se do ta përkrahë gjithmonë Behgjet Pacollin, ngase ajo thotë se ai e ka synim rinin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

 

“Duke e pas parasysh që Behgjet Bacolli është i vetëm dhe nuk ka kundër kandidat, atëherë besoj që ka me qenë edhe fitues. Normal që e përkrahim gjithmonë sepse ai e ka synim rininë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai është lider i AKR-së që 10 vite dhe do ta përkrahim gjithmonë, tha ajo.

Ismajl Seyfettin, ka ardhur nga Zvicra për të votuar për kryetar të AKR-së, sepse, sipas tij, situata është e rëndë dhe vendit i duhet ndryshim.

 

“Së pari dua të tregoj që kam ardh nga diaspora, përkatësisht nga Zvicra enkas për të votuar për arsye se situata është aq e ndërlikuar, megjithëse nuk është në kulturë të AKR-së që të merremi me të tjerët por situata është aq e rëndë sa që nuk mundemi t’i mbyllim sytë para opinionit të gjerë, prandaj ne jemi për një ndryshim radikal, pozitiv dhe shpresojmë që rinia jonë është vetëdijesuar dhe tani është radha e presidentit Pacolli dhe AKR-së. Mirëpresim ndryshim pozitiv në të gjitha fushat sepse pikë së pari në arsim ju e patë vetë cilin vend në botë e zuri arsimi në PISA”, tha ai.

Seyfettin ai tha se Pacolli është i duhuri për të marrë drejtimin e AKR-së por edhe drejtimin e Kosovës, mbi të gjitha ai është i njohur në cdo cep të botës.

Ndërsa, Merita Hyseni, tha se Behgjet Pacilli është i duhuri jo vetëm për AKR-në por për gjithë Kosovën. Ajo tha se ai është i vetmi që mund ta bëjë ndryshimin në Kosovë.

 

“Në radhë të parë pasi që presidenti Behgjet Pacolli është i vetmi kandidat për president të AKR-së mendoj që nga këto zgjedhje po shihet rezultati qysh në fillim sepse vullneti i qytetarëve nuk është vetëm brenda AKR-së por është edhe jashtë AKR-së për ta zgjedhur presidentin Pacolli kryetarë të AKR-së. E mira e këtyre zgjedhjeve është sepse për herë të parë në Kosovë po ndodh diçka ndryshe, brenda një subjekti politik po bëhet një ndryshim nga të gjitha subjektet tjera… besoj që Behgjet Pacolli është i duhuri jo vetëm për AKR-në por për gjithë Kosovën, është i vetmi person që mund ta bëjë ndryshimin në këtë vend”, tha ajo.

Edhe Sytrim Syla, një tjetër votues në procesin e sotëm, u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme AKR në krye me Behgjet Pacollin do ta marrin drejtimin e Kosovës.

 

“Presidenti është i duhuri për të qenë në krye të gjithë Republikës së Kosovës që besoj që edhe atë do ta arrijmë në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai. /KosovaPress/