Aktuale

3 mijë persona të pickuar nga rriqrat në Kosovë

Numri i të pickuarëve nga rriqërat në Kosovë nga muaji shkurt e deri në fund të qershorit ka arritur në afro 3 mijë raste.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut, është shënuar ulje e numrit të të prekurve, ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëdhënësja, Era Pireva.

Komuna e Malishevës prinë me numri më të madhë të të pickuarëve nga rriqrat me rreth 1 mijë raste.

Fundi i muajit qershor dhe fillimi i korrikut, kanë regjistruar ulje të numrit të të prekurve nga pickimi i rriqrave në Kosovë, ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Era Pireva.

Megjithatë, Pireva ka thënë se nga muaji shkurt deri në korrik numri i pickimeve nga këto insekte ka arritur në mbi 2 mijë e 700, ku prinë komuna e Malishevës me më së shumti të prekur.

“Janë raportuar gjithsej 2748 raste të pickimeve nga rriqrat, numri më i madh i pickimeve është raportuar nga Komuna e Malishevës me 960 raste, Suhareka me 362 raste, Klina 273 raste, Rahoveci 125 Raste dhe komunat tjera me numër më të vogël të rasteve”.

Por, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, tha se megjithë numrin e madh të të prekurve nga rriqrat, gjendja është e qetë dhe se janë duke u marrë të gjitha masat për parandalimin e pickimit nga rriqrat por edhe trajtimin e të prekurve.

“Mobilizimi në QKMF në Malishevë, zgjatja e orarit të laboratorit, trajtimi pak sa më i veçantë i pacientëve që paraqiten me pickim rriqri, kontaktet e vazhdueshme me klinikën infektive dhe faktorët relevant që janë pjesë e Këshillit Ndërministror dhe kështu kësi soji jemi në rrugë të mbarë që edhe vitin e gjashtë ta përfundojmë pa ndonjë fatalitet”.

Megjithatë, të dy këta kanë bërë thirrje për të gjithë qytetarët e Kosovës që mos të qëndrojnë gjatë nëpër vende me bari dhe shkurre. Nëse qëndrojnë në këto vende të veshin pantallona të gjata dhe t’i fusin në çorape, të përdorin preparate kundër insekteve nëpër pjesët e zbuluara të trupit dhe në rast se vërejnë rriqrat në trup të paraqiten sa më shpejt në Qendrën më të afërt mjekësore.

Që nga viti 2012 deri më 2014 në Kosovë kanë ndërruar jetë rreth 20 qytetarë si pasojë e pickimit nga rriqrat derisa në gjashtë vitet e fundit nuk ka pas asnjë viktimë nga këto insekte.

the authorBurbuqe Metolli