Ekonomi

45 milionë euro të parapara për projekte nuk do të shpenzohen

Qeveria e Kosovës ka marr vendim për reduktim të fondeve të alokuara në kategorinë e shpenzimeve kapitale të nivelit qendror. Shuma e këtyre mjeteve është 45 milionë euro.

Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti ka thënë se kanë ngrirë 45 milionë euro të buxhetit për projektet që sipas tij, Qeveria nuk ka obligime kontraktuale.

Hoti ka thënë se këto projekte nuk do të fillojnë për shkak të mungesës së rishikimit të buxhetit.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka sqaruar se ky reduktim në buxhet prek 17 projekte të Ministrisë së Infrastrukturës për projekte të ndryshme komunale.

Qeveria në këtë mbledhje ka shqyrtuar poashtu edhe raportin gjashtëmujor të buxhetit për vitin 2017, të cilin e ka prezantuar ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti.Hoti ka thënë se të hyrat nga Dogana janë rritur më shumë se vitin e kaluar, ato në ATK poashtu janë rritur për 9 % derisa edhe ato nga huamarrja janë rritur për 130 milionë euro.Sipas tij, investimet poashtu janë rritur për 19 %, kryesisht në infrastrukturë.

Në këtë raport është bërë e ditur se deri tani janë shpenzuar 769 milionë euro, prej tyre 274 milionë euro për paga.Derisa kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka thënë se do të ketë problem në realizimin e të hyrave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të hyrat nga Komisioni Evropian, por megjithatë sipas tij, ka qenë një performancë e mirë.