Arsim & Kulturë

48 mijë nxënës nga Kosova dhe Maqedonia përfitojnë libra

Fondacioni i MoneyGram në bashkëpunim me Qendrën për Arsim e Kosovës dhe Fondacionin për iniciativa edukative dhe kulturore Step by Step, njoftojnë sot nisjen e programit i cili synon rritjen e shprehisë së të lexuarit tek fëmijët e klasave të para në Kosovë dhe Maqedoni. Majlinda Kelmendi, sportistja e parë Kosovare e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike mbështet gjithashtu iniciativën për tregim të storieve dhe lexim tek këta fëmijë.

“Rezultatet e fundit të testeve për lexim të fëmijëve Kosovar dhe Maqedonas tregojnë nevojën urgjente për përmirësim në të dy shtetet, sepse këto shifra mund të ndikojnë në performancën e nxënësve edhe ne disiplina tjera si shkenca natyrore dhe matematikë. Duke u bazuar në studime të cilat tregojnë se fëmijët që fillojnë me lexim në moshë më të re kanë aftësi lexuese dhe edukative më të larta, Fondacioni I MoneyGram-it në bashkëpunim me Qendrën për arsim e Kosovës me fond prej 65,580$ do të pajisin nxënësit e klasave të para të Kosovës dhe Maqedonisë me pako librash me storie të ndryshme”, thuhet në komunikatën për media nga MoneyGram.

“Jam shumë i entuziazmuar që fondacioni i MoneyGram për herë të parë jep fonde tek organizata joqeveritare në rajonin tonë. Për më shumë, projekti po përfshin dy shtete për tu ofruar ndihmë në përmirësimin dhe rritjen e shprehisë së leximit. 48, 000 nxënës nga 800 shkolla në Kosovë dhe Maqedoni do të përfitojnë nga 3,700 pako me libra që do të printojmë dhe shpërndajmë tek ta,” tha Massimo Canovi, udhëheqës i MoneyGram për Evropën Juglindore.

Buxheti i siguruar nga Fondacioni i MoneyGram do të mundësojë që Qendra për Arsim e Kosovës të përkthejë dhe printojë pako me 15 libra të ndryshëm të shkruar nga autorë të vendit dhe jashtë saj. Librat do të shpërndahen në Shtator – Tetor, 2017 të paketuara në një kuti kartoni në formën e një kamioni lodër. Pakoja gjithashtu do të përmbajë edhe një shkresë dhe një udhëzues për mësuesit, të cilët do të inkurajojnë fëmijët me punime të ndryshme e aktivitete të cilat do të realizohen gjatë orëve shkollore. Pjesë e projektit është gjithashtu monitorimi i përdorimit të librave që të sigurohemi se gjithçka po shkon sipas planit, gjithashtu edhe promovimi I tregimit të storieve dhe leximit.

“Unë besoj se dhurimi i këtyre librave fëmijëve të klasave të para të Kosovës dhe Maqedonisë do të inspirojnë ata të udhëtojnë në botën e imagjinatës së tyre dhe do të shohin se jeta është edhe më e mirë nëse shoqërohet me një libër. Në fund të fundit “një klasë pa libra është si një trup pa shpirt” ka thënë Dukagjin Popovci, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës për Arsim të Kosovës.

Kjo iniciativë mbështetet edhe nga Majlinda Kelmendi, ambasadore e MoneyGram, e cila do të takojë nxënësit në klasat e tyre për t’u treguar atyre për rëndësinë e leximit e gjithashtu për të dhënë atyre mësime të xhudos. “Unë kam vendosur t’i bashkohem kësaj iniciative sepse e di sa e rëndësishme është të investohet në ardhmërinë e fëmijëve për ta ndryshuar jetën e tyre për të mirë. Rritja e shprehisë së leximit ju mundëson fëmijëve të përcjellin ëndrrat e tyre dhe t’i inkurajojnë ata në realizimin e tyre“ ka thënë Majlinda Kelmendi.

Kjo iniciativë mbështetet edhe nga Ministrija e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës. Në një fjalë rasti, Ministri Arsim Bajrami tha: “Iniciativat e tilla për dhurimin e librave dhe aftësimin e fëmijëve për shkathtësitë në të lexuar, janë gjithmonë të mirëseardhura dhe ne si ministri do të i mbështesim gjithmonë. Majlinda Kelmendi është një shembull i përkryer i asaj që sapo thash, pasi që prezanton idenë se gjithçka mund të arrihet nëse punon shumë.”/KosovaPress/