Aktuale

5 vatra të reja zjarri në Shqipëri

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë konstatuar 5 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 56 zjarrfikës, 6 automjete, 40 forca ushtarake, si dhe disa helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

EC përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128. Aktualisht, situata që paraqitet është kjo:

Qarku Dibër – Në fshatin Zdojan, njësia administrative Tomin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë frutore. Shërbimi vendor i MZSH ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Për pasojë u dogj rreth 2 ha tokë.

Qarku Elbasan – Në fshatin Shijon, njësia administrative Bradashesh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH ka dërguar në vendngjarje 3 automjete zjarrfikëse me efektivët, të cilët kanë shuar zjarrin. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe 5 rrënjë ullinj.

Qarku Berat – Në fshatin Donofrosë, njësia administrative Cukalat, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse nga shërbimi vendor i MZSH, që kanë shuar flakët, që kanë djegur rreth 1 hektar me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj.

Qarku Vlorë – Në vatrën e zjarrit në vendin e quajtur ‘Maja e Qorres’, në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, po vijon puna edhe mëngjesin e sotëm për të shuar zjarrin, me 2 helikopterë, pasi për shkak të vështirësive të terrenit nuk mund të ndërhyhet nga rrugë tokësore.

Ndërsa në fshatin Panaja, njësia administrative Qendër Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, i cili ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Për pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 0.1 hektar me shkurre dhe rreth 15 rrënjë ullinj.