Aktuale

78 asete shoqërore ndodhen në duart e uzurpatorëve

Nga 170 uzurpatorë të aseteve shoqërore, aq sa ishin identifikuar para pak muajve, AKP-ja ka arritur të largojë më pakë se 100 nga ta. Zyrtarë të AKP-së janë zotuar se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e sajë do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk ka arritur që të fusë nën sovranitetin e saj të gjitha pronat shoqërore të uzurpuara. Edhe 78 asete shoqërore ndodhën në duart e uzurpatorëve. Sfidë për organet e shtetërore mbesin edhe pronat shoqërore që ndodhën në veri të Mitrovicës.

Qindra asete të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishin uzurpuar që nga paslufta e deri më tani. AKP në muajin shkurt të vitit 2016 ka publikuar në faqen e saj të internetit listën e uzurpatorëve aktual dhe uzurpatorëve të mëparshëm të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore. Menjëherë kishte reaguar Prokuroria e shtetit nga ku nisi largimin e shumë prej tyre.

Por, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka treguar që janë disa faktor që kanë ndikuar në ngecjen e futjes nën kontrolle të pronave shoqërore, raporton lajmi.net.

“Agjencia në mënyrë progresive bënë identifikimin e pronave të aseteve shoqërore dhe të uzurpimeve dhe në këtë drejtim në disa raste paraqiten vështirësi sidomos në identifikimin e pronave bujqësore të uzurpuara. Deri në fillim të muajit korrik janë të evidentuara rreth 78 uzurpime nga të cilat 25 figurojnë në pjesën veriore të Mitrovicës. Në anën tjetër, janë 85 institucione vendore që i shfrytëzojnë asetet pa qira. Po ashtu janë 6 raste sociale që i shfrytëzojnë asetet pa qira, janë 8 ndërmarrje publike që i shfrytëzojnë asetet pa qira; dhe janë 4 institucione ndërkombëtare që i shfrytëzojnë asetet pa qira”, ka thënë Kaloshi për lajmi.net.

Zëdhënësi Kaloshi ka thënë se, AKP, në bazë të “Udhëzuesit për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH)” nuk i konsideron Institucionet Vendore apo ato Ndërkombëtare si uzurpatorë të pronave shoqërore, pasi që i shfrytëzojnë këto prona për qëllime jo komerciale. “AKP vazhdon me lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka shtuar tutje zëdhënësi i AKP-së.

Ndërkaq, në gjysmën e muajit shkurt 2016, AKP- ja kishte publikuar në faqen e saj të internetit listën e uzurpatorëve aktualë dhe uzurpatorëve të mëparshëm të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore.

AKP kishte thënë se publikimi i këtyre listave është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në takimin me Bordin e Drejtorëve të Agjencisë më 29 janar 2016 dhe drejtuesit e Agjencisë më 12 shkurt 2016.

Sipas atij raportit, asetet që shfrytëzohen nga uzurpatorët, sipas rajoneve kanë qenë 170 persona, nga ku printe rajoni i Prishtinës me 51 uzurpime, pastaj rajoni i Mitrovicës me 89, i Pejës me 27, Prizreni 3 dhe Gjilani asnjë. Lloji i aseteve është i ndryshëm duke filluar nga depot, fermat, hotele, lokale, tokë, ndërtesa admistartive, pompa të benzinës, shtëpi, zyre etj.