Shëndetësi

79 % e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar

Ministria e Shëndetësisë ka filluar Javën Botërore të Imunizimit e cila do të shënohet gjatë javës (24-30 prill), dhe synon ta promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur njerëzit e të gjitha moshave kundër sëmundjeve.

Në një tryezë u tha se çdo vit imunizimi shmang rreth 2-3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse që i prekin fëmijët në mënyrë joproporcionale. Ndërsa në Kosovë u theksua se 79 për qind e fëmijëve të moshës 24-35 muajsh janë të imunizuar plotësisht.

Megjithatë, mbulimi i imunizimit mbetet shumë më i ulët në mesin e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptiane, ku më pak se një e treta e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë 24-35 muajsh janë plotësisht të imunizuar (30%).Java përqendrohet në nevojën për ta rritur ndërgjegjësimin e hartuesve të politikave, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe kujdestarëve, si dhe popullatës më të gjerë, për rëndësinë e imunizimit në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se imunizimi është një nga aktivitetet që parandalojnë sëmundjet, dhe sipas tij, kjo reflekton në aspektin ekonomik dhe emocional të Kosovës.“Kosova ka qenë në trend të shteteve të suksesshëm të imunizimit të fëmijëve, jemi duke punuar shumë të rrisim imunizimin e minoriteteve, ne jemi duke hartuar strategjinë për vaksinim që është në kuadër dhe planit të Qeverisë”, tha Rrahmani.

Gjatë kësaj jave, synohet të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë vendimtare të imunizimit të plotë gjatë gjithë jetës dhe rolin e saj në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në 2030.Imunizimi është një nga nismat më të suksesshme të shëndetit publik dhe programet shëndetësore me kosto më efektive. Vaksinat kanë efekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.