Aktuale

84 milionë lekë për parandalimin e sëmundjes LSD tek gjedhët

Pas ndalimit të importit dhe të tranzitimit të kafshëve të gjalla gjedhë nga vendet e rajonit si rezultat i sëmundjes së Dermatoza Nodulare, shtohet edhe buxheti për Sigurinë Ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Këshilli i Ministrave ka vendosur që 84 milionë lekë të shkojnë për sigurinë ushqimore pas propozimit të bërë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Ky fond është bërë i mundur pas rishpërndarjes së fondeve ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për marrjen e masave urgjente për parandalimin e sëmundjes së dermatozës nodulare të gjedhit. Kjo shumë është hequr nga fondi për mbështetjen e bujqësisë dhe marketingut.

Për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve është ndaluar edhe importi i mishit të freskët të kafshëve të llojit gjedh që preken nga sëmundja LSD, si dhe materialin patologjik dhe produktet biologjike të kafshëve të llojit gjedh, që preket nga kjo sëmundje, që nuk i janë nënshtruar proceseve, të cilat sigurojnë shkatërrimin e virusit të Dermatozës Nodulare të Gjedhit.

Kjo sëmundje ndodh gjatë verës dhe vjeshtës në muajt, kur insektet janë me shumicë, ndërsa sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit.