Aktuale

93- vjeçarja që disa ditë pa ngrënë, jeton në kushte mjerimi në Prishtinë (Foto)

Është 93- vjeçare dhe ka disa ditë që nuk ka ngrënë as s’ka pirë.

 

Në gjendje tepër të rëndë shëndetësore e kanë gjetur punëtorët e një kompanie në Prishtinë dhe i kanë dal në ndihmë.

Kjo është nënë Qamile Poroshica e cila jeton e vetme në një objekt që nuk mund t’i thuhet as shtëpi, në lagjen Hajvalia në Prishtinë, raporton lajmi.net

Krejt pranë Inspektoratit Policor, ajo ka disa muaj që jeton e vetme. Në gjendje të rëndë shëndetësore ajo nuk ka ditur të tregonte se ku i ka shkuar djali: “Kanë dal më kanë lan vet”, ishte fjala që ajo tha.

Menaxherja e kompanisë Perfect Clean, Naxhije Ahmeti e cila e ka gjetur në gjendje shumë të rëndë, tregon se ata e kanë thirrur Policinë dhe ndihmën mjekësore, të cilët i kanë dhënë edhe qetësues me të arritur.

Këta të fundit, sipas Ahmetit, kanë premtuar se do kujdesen për të.

“Vendi ku jeton nuk është as shtëpi, nuk mund të besoj që një nënë jeton në atë gjendje”, tha Ahmeti.