Aktuale

A do të diskutojnë për kufijtë Thaçi e Vuçiq në Paris? Flet Azem Vllasi

A do të diskutojnë për kufijtë Thaçi e Vuçiq në Paris? Flet Azem Vllasi
Autori: Lajmi.net Lajme, Politikë9:11, 1 November 2018

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Azem Vllasi po cilëson se ushtria multietnike e Kosovës është nevojë legjitime dhe se pjesëmarrja serbe do të thotë gjithashtu një garanci më e madhe për sigurinë e tyre.
“Është një forcë mbrojtëse, multietnike, sipas funksionit dhe misionit që ka për të mbrojtur territorin dhe kufijtë e Kosovës, duke mbrojtur të gjithë qytetarët e saj”, u shpreh Vllasi.

Ai shtoi se nuk e kupton pse një ushtri e tillë do ta shqetësonte Serbinë ose ndokënd tjetër, dhe jo Forcat e Armatosura të Serbisë, të cilat sipas tij “marrin raketa, sisteme raketore nga Rusia dhe askush nuk ndjehet i kërcënuar, transmeton lajmi.net.

Duke aluduar në porosinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili u bëri thirrje serbëve të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vllasi tha se prania e serbëve në këtë strukturë është gjithashtu një garanci e madhe për sigurinë e tyre.

I pyetur për Interpolin, Vllasi tha se Kosova duhet të pranohet në anëtarësim dhe se nuk e kupton angazhimin e Serbisë për Kosovën që të mos pranohet në këtë organizatë, pasi kjo do të thotë se është e nevojshme të ruash Kosovën në një oazë ku krimi dhe kriminelët ndërkombëtarë mund të kërkojnë strehim.

Vllasi gjithashtu ka folur për takimin e 11 nëntorit në Paris mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se kjo është një mbledhje protokolli, një ceremoni që shënon 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe atje nuk do të ketë biseda serioze bilaterale.

“Nuk përjashtohet që Vuçiq dhe Thaçi do të takohen me një gotë pije në dorë. Nuk do të supozoj që ata nuk do të përshëndeten, por kjo nuk është një mundësi e mirë për një bisedë serioze mes tyre,” u shpreh Vllasi.

Vllasi tha se ekziston një konsensus në Prishtinë se dialogu me Beogradin është i domosdoshëm dhe se marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë në vetvete një njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë, brenda këtyre kufijve dhe me një status të zgjidhur shtetëror.

“Dhe pastaj, të dy shtetet e pranuara reciprokisht mund të kenë kanale dhe diskutime për çështje të diskutueshme, si dhe për korrigjimin e kufijve në disa detaje për arsye gjeografike dhe të tjera, për ta përmbajtur këtë marrëveshje”, tha Vllasi.

Sipas tij, Serbia po nxiton sepse është në fazën e negociatave të pranimit në BE, ndërsa Kosova është përtej negociatave dhe anëtarësimit.

Vllasi thotë se nga ana serbe, Vuçiq gjithmonë përmend një kompromis që nënkupton që çdo parti merr diçka, por kurrë nuk thotë se çfarë kuptimi ka kjo.

“Ai kurrë nuk shpjegoi se çfarë do të thotë ideja e demarkacionit, – në mes të shqiptarve dhe serbëve, por duhet thënë jo ndarjes territoriale”.

Ai shtoi se në anën e Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka shpjeguar çfarë do të thotë “korrigjimi i kufirit”, sepse askush nuk beson në shpjegimin e tij se kjo do të thotë që Lugina e Preshevës do të shkrihet në shtetin e Kosovës, ndërsa Kosova do të mbetet e paprekur./Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli