Arsim & Kulturë

AAB i vetmi institucion jopublik që po merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të Procesit së Bolonjës

Kolegji AAB është institucioni i vetëm jopublik nga Kosova që po merr pjesë në përvjetorin e 20-të të Procesit të Bolonjës, e që mbahet më 24 e 25 qershor 2019, në Bolonja të Italisë. Në këtë përvjetor i cili po shënohet me konferencën tematike “Bologna process Beyond 2020: Fundamental values of the EHEA” ( Bolonja përtej vitit 2020: vlerat themelore të arsimit të lartë në Evropë), Kolegji AAB përfaqësohet nga Pro-rektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie me Jashtë, Prof. As. Dr. Venera Llunji.

Konferenca dyditore ka mbledhur që në ditën e parë rreth 200 rektorë e prorektorë si dhe studiues nga shtete të Evropës por jo vetëm, me qëllim të shkëmbimit të ideve e mendimeve lidhur me arsimin e lartë sipas procesit të Bolonjës. Qëllim tjetër i këtij takimi madhështor është edhe bashkëpunimi mes universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë e për të ndihmuar në thellimin e njohurive, shkëmbimin e studentëve dhe përqendrimin në shkencë dhe zhvillimin global për të mirën e njerëzimit.

Dita e dytë e konferencës do të ketë pesë sesione paralele në të cilin folës të arsimit dhe shkencës, profesorë dhe përfaqësues të studentëve do të flasin për zhvillimet, mangësitë, problemet dhe sfidat se çfarë të bëhet më tutje në të siguruarit e një arsimi cilësor i cili garanton barazi, demokraci, kulturë, shkencë, vlera, njohuri, liri akademike në arenën e arsimit të lartë. Bolonja është vendi ku është nënshkruar Magna Charta Universita dhe është vendi prej nga pothuajse të gjitha vendet e Evropës përpiqen të gjejnë mënyrën se si të ngritet një qytetar i denjë dhe i ditur.

Me procesin e Bolonjës do të mendohet se çfarë shoqërish duam të kemi përmes asaj se çfarë ofron arsimi i lartë tani dhe çfarë duhet të përpiqemi të ofrojmë në vazhdim. Ajo që e karakterizon Bolonjën është jo vetëm Deklarata e Bolonjës (Magna Charta Universitatum) e nënshkruar nga 29 ministra të Evropës në vitin 1999 për të formuar një sistem të përbashkët, por është qyteti i vetëm universitar në të cilin edhe është përdorur për herë të parë fjala “universita” e që do të thotë “gjithëpërfshirje”. Kjo lë të kuptohet se qëllimi kryesor i Procesit të Bolonjës është të ketë hapësirë për të gjithë, ashtu që arsimi i lartë të jetë i mundur për të gjithë. Suksesi i procesit të Bolonjës mbështetet në punën vullnetare dhe të pa kursim të të gjithë përfaqësuesve të arsimit të lartë të cilët duhet të bëjnë çmos që qëllimet dhe synimi i këtij procesi të jetë i vazhdueshëm me përmirësime për të mirë të qytetarëve në botë.

Sistemi i arsimit, të menduarit kritik, udhëheqja e duhur konsiderohen të kenë rëndësinë më të madhe në të siguruarit e një ambienti të ngrohtë njerëzor sepse arsimi është ai që ka ndikimin kryesor në të krijuarit e shoqërive në botë. Prandaj duhet menduar në mënyrë strategjike si të krijojmë hapësirë dhe mundësi më të mira për gjeneratat që do të vijnë. Do theksuar se Kolegji AAB është anëtar i rregullt i Magna Charta Universitatum që nga viti 2010.

the authorBurbuqe Metolli