Kolegji AAB, shumë shpejt do të rangohet në mesin e 1000 më të mirëve në botë

Në Kolegjin AAB po vazhdojnë punimet e “Konferencës së 7-të botërore për Inovacion dhe Shkencë Kompjuterike” dhe “Konferencës e 7-të botërore për Hulumtim, Teknologji dhe Edukim”. Këto dy konferenca, Kolegji AAB i ka organizuar në bashkëpunim me Universitetin “Near East” nga Qipro.

Janë 100 punime kërkimore të këtyre fushave që po prezantohen në këto dy konferenca, ku pjesëmarrës janë hulumtues nga 22 shtete të ndryshme të botës. Punimet më të mira nga këto konferenca do të publikohen në Revistën Ndërkombëtare të fushës së teknologjisë, “Current Proceeding of Technology”.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, Blerta Prevalla – Etemi, në një intervistë për Gazetën KNN njoftoi se janë tetë studentë e nivelit Master të Kolegjit AAB, të cilët kanë prezantuar hulumtimet e tyre shkencore në këto konferenca.

“Studentët e Masterit, me punimet e tyre shkencore kanë përfshirë hulumtime shumë të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe aplikimit të saj në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe më gjerë. Kanë pasur jashtëzakonisht punime të mira, prandaj edhe janë përfshirë për publikim bashkë me punimet shkencore të hulumtuesve të tjerë nga e gjithë bota”, tha dekania Prevalla – Etemi.

Ajo tha se arsyeja pse këto konferenca i kanë bërë në bashkëpunim me Universitetin ‘Near East’ nga Qipro, është sepse ky institucion, sipas rangimit të “Webometrics” është në mesin e 1000 universiteteve më të mira në botë.

Ndërsa, dekani i Departamentit të shkencave kompjuterike në Universitetin “Near East”, Hüseyin Uzunboylu, i tha Gazetës KNN se për Konferencën e 7-të Botërore për “Inovacion dhe Shkencë Kompjuterike” dhe atë për “Hulumtim, Teknologji dhe Edukim” e kanë menduar që ta mbajnë në Ballkan, dhe se e kanë zgjedhur pikërisht Kolegjin AAB, pasi që kjo e fundit i kushton shumë rëndësi shkencës dhe teknologjisë.

“Mendoj se ky kolegj ëshë një ndër universitet më të mira në rajon. Në bazë të asaj që e kam parë pasi kam ardhur këtu, besoj se shumë shpejt, Kolegji AAB do të hyjë në mesin e 1000 universiteteve më të mira në botë”, tha Uzunboylu.

Ai shtoi se pos kushteve që Kolegji AAB ua ka plotësuar që punimet e këtyre konferencave të zhvillohen në nivel të lartë profesional, edhe mikpritja ka qenë shumë e mirë dhe se e kanë bërë atë të ndihet si në shtëpinë e vet.

Punimet e këtyre konferencave do të përfundojnë sot në ora 14:00.

Bashkëpunimi i Kolegjit AAB me Universitetin “Near East” nga Qipro do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku nga ky bashkëpunim do të kenë: projekte të përbashkëta, bursa studimore për nivelet Master dhe Doktoraturë, programe të përbashkëta studimore që do të mbahen disa semestra në AAB dhe disa në Universitetin “Near East”, shkëmbim të stafit dhe shkëmbime të studentëve, konferenca të përbashkëta shkencore. /Gazeta KNN