Aktuale

AAK: Demarkacioni duhet të rrëzohet sot

Kur pritet për pak minuta të nisë edhe mbledhja e Qeverisë së Kosovës, ku edhe do të mësohet zyrtarisht se a do të shkojë në Kuvend Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, opozita shprehet se ky version i Demarkacionit duhet të rrëzohet sot.

Kështu ka thënë për Telegrafin, anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duhet të rrëzohet në Kuvend sot. Deputetët nuk duhet të eksperimentojnë me interesa të ngushta politike, sepse askush nuk ka mandat të luaj me kufirin. Territori i Kosovës është më i rëndësishëm se interesat politike të kujtdo qoftë. Ka pasur qindra argumente në dy vjetët e shkuara, se kjo marrëveshje është e gabuar”, tha Nitaj.

Ai theksoi se Parlamenti i Kosovës duhet të veprojë si çdo parlament normal, deputetët e secilit duhet të veprojnë me vetëdije të lartë dhe ta respektojnë betimin e dhënë, se do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të Republikës.

“Mosratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, nuk shënon rast të vetëm. Ka plot vende që nuk i kanë ratifikuar marrëveshjet e kufirit dhe kanë ndjekur procedurat e zakonshme në raste të tilla. Kosova mund ta zgjidhë këtë çështje me një proces të ri me Malin e Zi, duke mos përjashtuar as arbitrazhin ndërkombëtar”, u shpreh Nitaj.

Nitaj tutje theksoi se ratifikimi eventual i kësaj marrëveshjeje, e fut Kosovën në një spirale të krizës afatgjate politike dhe përgjegjësia për një situatë të tillë i bie Qeverisë, kryeministrit dhe deputetëve të cilët votojnë pro.

“Marifeti i futjes së aneksit për korrigjimin eventual të kësaj marrëveshjeje pas një apo dy vitesh, është një mashtrim ordiner dhe lojë e rrezikshme”, tha Nitaj.