Aktuale

AAK dhe AKR mohojnë arritjen e marrëveshjes mes PAN-it dhe AKR-së

Shkrimi i publikuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes PAN-it dhe AKR-së, që është postuar në Facebook, e cila llogari është e hapur në emër të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, zyrtarët e dy partive, AAK dhe AKR e kanë mohuar.

Muharrem Nitaj nga AAK, ka mohuar se ka pasur ndonjë zhvillim zyrtar në këtë drejtim, duke pohuar se AAK nuk është në njohuri të ndonjë marrëveshje dhe se nuk kanë njohuri as për mbajtjen e ndonjë takimi mes zyrtarëve të saj dhe AKR-së.

Ai po ashtu ka thënë për KosovaPress se faqja Ramush Haradinaj kryeministër i Kosovës, nuk është faqja zyrtare e Haradinajt dhe as nuk menaxhohet nga AAK.

Njëjtë ka thënë për KosovaPress edhe Rrahim Pacolli nga AKR, i cili ka demantuar lajmin, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk ka pasur as takime.

“Ende qëndrojmë në koalicionin e LAA-s, të cilin e kemi formuar para zgjedhjeve me LDK-në”, ka thënë shkurt Pacolli.

Në faqen “Ramush Haradinaj kryeministër i Kosovës”, shkruhet “te nderuar miq,

Sapo eshte arritur perfundimisht marveshja ndermjet PAN dhe AKR!”

Në këtë faqe shpërndahen kohë pas kohe foto dhe lajme për Haradinajn. Kjo faqe ka 54 393 pëlqime./KosovaPress/