Aktuale

AAK dhe NISMA kthehen në Kuvend për të diskutuar, jo për gaz lotsjellës

Kthimi i demarkacionit në Kuvend të Kosovës, do ti kthejë në ulëset e tyre, pas disa muajsh, edhe deputetët e koalicionit AAK-NISMA. Ndryshe, nga prej herëve të kaluara këta deputetët do të kthehen vetëm për diskutim e jo për gaz lotsjellës e dhunë. 

AAK e NISMA kthehen në Kuvend të Kosovës kurdo që në rend të ditës të jetë çështja e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj.

“Deputet e AAK’se e NISMA’s do të marrin pjesë në debatin dhe argumentimin e kundërshtimeve të demarkacionit kurdo që kjo pikë të nxjerrët në rend të ditës”, tha Nitaj.

Ai sqaroi se deputetët e këtyre dy partive opozitare kthehen vetëm për të diskutuar në Kuvend dhe kanë hequr dorë nga dhuna – që muaj më parë për disa seanca rresht shfaqen bashkë me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk ka gaz prej deputetëve të AAK’së e as të NISMA’s në Kuvend”, tha për Gazetën Express, Nitaj.

Për dallim nga deputetët e këtyre dy partive, ata të VV’së ka javë që  janë kthyer në Kuvend.

Ndryshe, çështja e demarkacionit të hënën është raportuar se gjatë kësaj jave mund të procedohet në Kuvend nga Qeveria e Kryeministrit Isa Mustafa. /GazetaExpress