Aktuale

AAK: Po bëjmë të pamundurën për zhbllokimin e situatës së krijuar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se po bën të pamundurën për zhbllokimin e situatës së krijuar, duke krijuar parakushtet e realizimit të një të drejte kushtetuese që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Në një komunikatë për media thuhet se “kakarisjet” e sotme në Kuvend, ishin një spektakël populizmi i një grupi jo-formal deputetësh, në mesin e të cilëve edhe njerëz të akuzuar për terrorizëm, e jo debat parlamentar, pasi që nuk mund të ketë debat në një seancë që nuk ka kuorum.

“Listën Serbe“, nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj, dhe ju neokomunistët e këtij vendi, mos u thirrni në patriotizëm, sepse patriotizmi pa akte patriotike, që juve u kanë munguar gjithmonë, mund të jetë vetëm strehë horrash! Përfaqësimi i serbëve kosovarë, në rastin kontekst Lista Serbe, në Institucionet e Republikës së Kosovës është kategori kushtetuese, dhe në çdo kombinim ata duhet të jenë pjesë e institucioneve, sepse kështu e keni gatuar vetë”, thuhet më tej në komunikatë.

AAK konsideron se situata e krijuar nuk mund të marrë zgjidhje me fjalime propagandistike e kundër-kushtetuese në një mbledhje pa kuorum.

“Ne po bëjmë të pamundurën që ta zhbllokojmë situatën e krijuar, duke krijuar parakushtet e realizimit të një të drejte kushtetuese, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, e që u pëlqeu apo jo deputetëve “neokomunistë”, ajo i përket grupimit më të madh politik në vend”, thuhet në komunikatë.