Aktuale

Agim Veliu i përgjigjet Gazmend Muhaxherit rreth kandidaturës për kryeministër

Gazmend Muhaxheri është i pari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka shprehur hapur ambicien e tij që të jetë kandidat i LDK-së, për Kryeministër të Kosovës. Por, kjo mbetet vetëm çështje e vullnetit të Muhaxherit, pasi që kandidatin e vendosin organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu ka thënë për “Gazeta Blic”, nënkryetari i këtij subjekti politik, Agim Veliu. Ai tha që, deri më tash, në LDK, nuk ka pasur ndonjë bisedë se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër, pasi që janë duke pritur se si po rrjedhin gjërat në Qeveri. Megjithatë, sipas tij, është mirë që secili të ketë vullnet të jetë kandidat.

“Ne nuk kemi biseduar deri më tash, po presim se si po zhvillohet situata, dhe çka po ndodhë me Qeverinë”, thotë Veliu.

Dhe, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mblidhet dhe do të diskutojë se si do të veprohet me tej.“Nëse vendi shkon në zgjedhje, strukturat e LDK-së do të mblidhen, dhe kjo është çështje e përcaktuar me dokument dhe vendosin organet e partisë se kush ku do të jetë”, pohoi Veliu për “Gazeta Blic”.

Sipas Veliut, deklaratat e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, që ai duhet të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër të Kosovës, janë çështje vullneti, mirëpo, në fund, vendosin organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po ashtu, Veliu, përmendi edhe faktin se ai ka fituar zgjedhjet gjithmonë dhe nuk ka pasur asnjëherë humbje.

“Nuk është çështje e vullnetit individual të asnjërit, është mirë që ka vullnet secili me qenë kryeministër, por nuk është e duhur me thanë se unë po dua të jem kandidat, ose tash me thanë unë me qenë kandidat për kryeministër, sepse nuk i kam humbur kurrë zgjedhjet. Kjo është çështje e vullnetit personal. Por, kjo varet nga vendimi që marrin organet e LDK-së. Aty duhet ulur secili organ ashtu siç është paraparë me hy në procedura dhe me vendos. Vetëm atëherë mund të themi se është mirë puna”, ka përfunduar deklaratën nënkryetari Veliu”.

Ndërkohë, Gazmend Muhaxheri, i cili udhëheq Komunën e Pejës, ka deklaruar për media se ai duhet të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.“Besoj që unë duhet të jem kandidatë për kryeministër. Kam qeverisur mirë dhe kam fituar pa balotazh. Nuk shoh ndonjë kandidaturë tjetër”, tha Muhaxheri. Gazmend Muhaxheri, është duke ushtruar mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Pejës.

the authorE B