Aktuale

Ahmeti: “Burrështetas nuk të bëjnë teshat e shtrenjta, e as stili i flokëve”!

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vlerësuar se burrështetas nuk të bëjnë teshat e shtrenjta, e as stili i flokëve.

Por jo vetëm kaq.

Sipas tij, burrështetas nuk është ai që e ka rehatu krejt familjen e vet në dëm të shtetit e institucioneve, e as ai që ka orkestru dhjetëra skandale në dhjetë vitet e fundit në dëm të shtetit!

Postimi në Facebook i të parit të Prishtinës, ka ardhur sipas tij pas deklaratave gjatë vizitës së fundit të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë, në të cilat sipas tij “u përmend shpesh fjala burrështetas”.

Ja postimi i plotë:

Meqë u përmend shpesh fjala burrështetas dje

Burrështetas është ai që nuk e vjedh vendin e vet!

Burrështetas është ai që e vendos interesin e shtetit që e përfaqëson para interesit personal!

Burrështetas nuk është ai që e ka rehatu krejt familjen e vet në dëm të shtetit e institucioneve!

Burrështetas nuk është ai që ka orkestru dhjetëra skandale në dhjetë vitet e fundit në dëm të shtetit!

Burrështetas nuk të bëjnë teshat e shtrenjta, e as stili i flokëve

Burrështetas është ai që mendon për shtetin përtej mandatit të vet, e përtej jetës së vet politike!

Edhe pse politikat e momentit mund të turbullojnë vijat e ndarjes, hajnat do të mbesin hajna, mashtruesit do të mbesin mashtrues, e burrështetasit e paktë që i kemi pas dhe do ti kemi do të mbahen mend si të tillë. Burrështetasve nuk kemi nevojë të ju thurim lavde.

Kosova prej një vendi me një status ndërkombëtar të respektueshëm, si viktimë e një lufte fashiste, në kohë rekorde 15 vjeçare është kthyer në vend të korrupsionit, krimit, izolimit, dhe e ka marr rolin e agresorit në pritje të gjykimit special për krime lufte. Vetëm artistët e sportistët ku shteti nuk ka arritur ti pengoj kanë arritur suksese.

P.S. në mungesë të një termi adekuat dhe për shkak të lidhjes së temave të sotme e përdora fjalën burrështetas. E njëjta vlen edhe për Gruashtetase.