Aktuale

Ahmeti në Kumanovë: Gruevski dhe Zaevi shohin ëndrra. BDI çelësi i qeverisë së re

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sonte mbajti tubim qendror në Qendrën e Kulturës në Kumanovë “Trajko Prokopiev”, ku e prezantoi platformën “Bashkë Vendosim”.

“Derisa frymojmë dhe veprojmë si subjekt, do të jemi gardianë të kauzës shqiptare”, tha lideri i BDI-së  dhe bartës liste për njësinë 6, Ali Ahmeti para sallës së stërmbushur në qytetin e Kumanovës.

“Unë nuk e kam ditur që këta në këtë mënyrë do të më shoqërojnë, çka më bën mua krenar? Më bën krenar që gjaku i prindërve të tyre nuk do të thahet e nuk do të lahet pasi qëndron në këtë flamur. Qëndron i freskët dhe ruhet mu nga Skënderbeu në Shkupin e Vjetër, siç ruhet nga Hasan Prishtina e Isa Boletini. Jam krenar sepse ata ushtarë, prindër të këtyre të rinjve, kanë ëndërruar për një arsim shqip, mbase kohën s’mund të kthejmë prapa dhe të shohin se si kemi dëbuar kasapin e luftrave dhe kemi hapur universitet edhe në Kumanovë. Unë u siguroj ju që kurrën e kurës nuk do të zhgënjeheni me bashkëluftëtarët e prindërve tuaj, ne do të jemi gardianë të kauzës shqiptare pavarësisht se çfarë deklarojnë lartë-poshtë se do të fitojnë BDI-në”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti më tej tha se BDI nuk do të lejojë që as dëshira për 63 deputetër e Nikolla Gruevskit, por as apetiti i Zoran Zaevit për votën shqiptare, nuk ka për ta ndalur hovin e BDI-së për të qenë vendimtare në Qeverinë e ardhshme.

“Nikolla Gruevski kërkon 63 deputetë, Zaevi kërkon votat e shqiptarëve, as njëri e as tjetri këtë ëndërr mos e shohin.Unë u siguroj dhe vendi është ku jepet fjala e burrit, mu në Kumanovë, BDI, shokët e prindërve të bijëve të dëshmorëve janë çelësi i qeverisë së ardhëshme në Maqedoni. Pikërisht kjo BDI e ka fitoren e sigurt, pasi ua ka këputur ‘leqtë e këmbëve’ të gjithë atyre që kanë pritur që BDI do të pësojë rënie tek shqiptarët, por kjo nuk ndodhi”, u shpreh Ahmeti.