Aktuale

Ahmeti: Qytetarin e Prishtinës do ta bëjmë pronar të qytetit

Qytetarët e Prishtinës tashmë do të kenë mundësinë që me pak klikime të informohen për të gjitha vendimet e ndërmarra nga kryetari i komunës, përmes platformës digjitale ‘Open Data’, e cila është lansuar të mërkurën dhe është e qasshme për të gjithë.

Platforma digjitale “Open Data”, përmban 130 dokumente në 14 kategori të ndryshme, të cilat mund të shkarkohen çdo moment, ndërsa përmban informatat e pronave komunale deri tek subvencionet, përfshirë të gjitha vendimet që Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti ka marrë.

Me këtë rast, Ahmeti ka thënë se përmes kësaj platforme synojnë që qytetarin e Prishtinës ta kthejnë në pronar të qytetit. Ai ka vlerësuar lansimin e kësaj platforme, si rezultat të punës së madhe që është bërë në avancimin e transparencës. Ndërkaq, ka ftuar edhe komunat e tjera të ndjekin këtë shembull në mënyrë që të rrisin llogaridhënien ndaj qytetarëve të tyre.

“Jemi munduar që të gjitha informatat të cilat qytetarët i kërkojnë, qoftë në aspektin e llogaridhënies qoftë në aspektin e informimit të thjesht t’i kenë në dispozicion me sa më pak klikime të mundshme… Unë iu bëj ftesë jo vetëm komunave të tjera, por edhe ministrive dhe Qeverisë të Republikës të Kosovës që ta marrin si shembull që mund ta bëjnë edhe në institucionet e tyre, sepse ne mendojmë se transparenca dhe llogaridhënia janë bazamentet e demokracisë në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar edhe mbi shpenzimet, edhe mbi vendimet dhe çdo informatë tjetër që iu nevojitet. Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve mendoj se kjo do të jetë e mirë për Komunën e Prishtinës në çfarëdo aspekti që ta kthejmë qytetarin dhe ta bëjmë pronarë të vërtet të qytetit”, tha ai.

I pyetur se a do të përfshihen edhe borxhlinjtë komunal në këtë platformë, kryetari i Prishtinës ka thënë se ideja është që të mos ketë informata të fshehta të cilat mund të rezultojnë me keqqeverisje dhe keqmenaxhim, ndërsa tha se në këtë platformë do të përfshihen të gjitha informatat.

E sipas Ahmetit, problem mbeten pronat komunale, të cilave iu ka skaduar kontrata.

“Tashmë edhe me ligjin për përmbarues më lehtë po i mbledhim borxhet. Besoj se shumë shpejt kjo do të përfundojë. Ne kemi problem me pronat të cilat iu ka skaduar kontrata, përpara ka qenë dhënia në shfrytëzim shumë e lehtë ndërsa tash me procedurë të konkurrencës. Ata kanë ndërtuar diçka për shembull në këtë tokë ndërsa tash as nuk kemi bërë që me u rrëzua ato prona e as nuk i kemi lëshuar në konkurrencë, po presim ndryshimin e ligjit të dhënies në shfrytëzim në mënyrë që ta adresojmë këtë problematikë”, ka thënë Ahmeti.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka vlerësuar lart platformën digjitale me ç’rast ka thënë se përmes kësaj platforme qytetarët do të kenë mundësinë edhe të përpunojnë të dhënat që ndodhen aty. Ndërsa ka shpjeguar se të dhënat e paraqitura në formë tabelare janë të ndara në 14 kategori, duke përfshirë arsimin, administratën, bujqësinë, ekonominë, kulturën, mjedisin, infrastrukturën, shëndetësinë, prokurimin, pronën, urbanizmin si dhe Kabinetin e Kryetarit.

Sipas tij, ndërtimi i kësaj platforme nuk përfundon me kaq, sipas tij do të ketë avancime të reja në shërbim të qytetarëve.

“Eksperiencën e kemi marrë nga platforma e cila është e ndërtuar në një nga qytetet më të mëdha të Evropës, qytetit të Barcelonës, prej nga edhe na ka ardhur ideja të ndërtojmë një platformë kaq llogaridhënëse në përgjithësi, ku qytetarët dhe OJQ-të , Institucionet mund të vijnë shumë shpejt deri tek informacioni i saktë i shpenzimeve, mbi të hyrat, mbi buxhetin tonë, por edhe të bëjnë krahasime mes të hyrave dhe shpenzimeve dhe të shohin se ku janë duke u dedikuar këto mjete të qytetarëve, në cilën formë po shpenzohen. 4’36” Gjithsej janë të përfshira 14 kategori me 48 ‘Data asete’. Po ashtu kemi edhe 130 dokumente të ngarkuara në këtë platformë e që mund të shkarkohen në çdo moment”, ka thënë ai.

Platforma digjitale ‘Open Data’ është e qasshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe është ndërtuar me ndihmën e UNDP dhe Albanian ICT Awards.

Ndërkaq, në komunën e Prishtinës është duke u punuar që së shpejti të mundësojnë komunikimin e qytetarëve me komunën përmes aplikacionit “Whats up”./KP