Aktuale

Ajet Potera i VV-së premton ekonomi gjithëpërfshirëse për Podujevën

Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht ka hapur fushatën zgjedhore në Podujevë, ku zyrtarë të kësaj partie kanë thënë se vota për Vetëvendosjen në këtë komunë është votë për çlirim.

Mbështetje për kandidatin e kësaj komune ka kërkuar kreu i kësaj partie, Visar Ymeri, i cili ka kritikuar udhëheqjen e deritanishme në këtë komunë.

Ai tha se qeverisja aktuale e LDK-së në Podujevë ka krijuar ndarjen fshat-qytet dhe se fshatarin e cilëson qytetar të dorës së dytë.

“Ndarja në mes fshatit dhe qytetit nën këtë pushtet është rezultat i niveleve të ndryshme të zhvillimit. Në fshat mungojnë edhe shërbimet publike bazike për qytetarin. Fshati sot nuk është i ndarë prej qytetit sepse aty ka bujqësi e blegtoria, por pikërisht sepse ato nuk janë prioritete të pushtetit as atij qendror e as këtij lokal që e keni këtu. Ndarja qytet fshat në Kosovë është ndarje midis një qendre administrative e tregtare përkundër mungesës së prodhimit e zhvillimit që e prodhon papunësinë”, tha Ymeri.

Ymeri për kryetarin aktual Agim Veliun ka thënë se është njeriu më besnik i PDK-së në LDK, dhe aktivisti më i fortë i LDK-së që e ka PDK. Ai është urë lidhëse mes këtyre dy partive.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke i ofruar mbështetjen kandidatit të kësaj partie për kryetar të komunës së Besianës, ka ftuar qytetarët që të bashkohen për ndryshim.

“Partitë e tjera duan ta marrin pushtetin për ta ndarë buxhetin për familjet e militantët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje do që të vijë në qeverisje për ta rritur buxhetin e për ta ndarë mirëqenien për të gjithë. Me numrin 10 ndahet e mira prej të keqes, më datën 22 e ndërrojmë rrugën prej të gabuarës tek ajo e së drejtës. Nuk mund t’i zhvillojnë Llapin e Gollakun ata që kanë përfituar nga mungesa e zhvillimit, problemet ekonomike e sociale në Besianë kanë shkaqe politike dhe pasoja kulturore”, tha Kurti.

Kandidati për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ajet Potera, tha se kjo komunë është katandisur nga pushtet-mbajtësit aktual dhe se kjo fotografi e komunës është pasojë e një qeverisjeje të keqe. Ai ftoi qytetarët që të votojnë për të duke iu premtuar ekonomi të shëndosh e gjithëpërfshirëse.

“Në dorën tuaj është mundësia që bashkë të nisemi rrugës që ky vend e meriton, rrugës, të cilën do e ndërtojmë bashkë për një jetë të dinjitetshme, për një ekonomi të shëndosh e gjithëpërfshirëse, për një arsim cilësor, për një përkujdesje shëndetësore e sociale çfarë e meritojnë të gjithë qytetarët e Llapit e Gollakut. Për një kulturë që shpreh vlerat e mirëfillta të vendit tonë dhe njerëzve tanë, për një administratë moderne e të motivuar, për shërbime publike kualitative dhe gjithëpërfshirëse. Këto janë ambiciet tona, ky është programi ynë bashkë mund t’i realizojmë”, tha ai.

Kandidati për kryetar të Besianës Ajet Potera, tha se me qeverisjen e tij heronjtë e kësaj ane nuk do të injorohen, por do të qëndrojnë në ballë të vendit siç e meritojnë./KP/