Aktuale

Aktakuza për veteranët e rrejshëm brenda pak ditësh dërgohet në Gjykatë

Aktakuza për listat me veteranët e rrejshëm, e bërë gati nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, pritet të ngritët brenda pak ditëve. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express kryeprokurori special, Reshat Millaku. Ai thotë se shumë shpejtë lënda e lënë në gjysmë nga Elezaj pritet që të dërgohet në Gjykatë.

Ish-Prokurori Special i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, më 11 korrik të këtij viti, gati e kishte përfunduar aktakuzën e parë ndaj profilit të lartë të veteranëve, lëndë kjo e cila konsiderohet si një ndër lëndët më voluminoze dhe të ndjeshme që nga paslufta në Kosovë. Por lënda ende është duke qëndruar në sirtarët e Prokurorinë Speciale pasi që ende nuk është dërguar për në Gjykatë.

Aktakuza për shkak të ndjeshmërisë dhe personave të përfshirë në të fillimisht ishte dërguar tek Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, për ta dërguar më pas në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në këtë të fundit, kjo aktakuzë pritet që të dërgohet shumë shpejtë.

Janë çështje ditësh dhe lënda pritet që të përfundojë në duart e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçit.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, të hënën Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

“Mund t’ua konfirmoj se jemi duke punuar rreth çështjes së veteranëve dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, aktakuza pritët të dërgohet në Gjykatë. Kjo mund të ndodh brenda pak ditëve”, ka thënë Millaku për Express.

Prokurori i cili po e zëvendëson Blakajn pas dorëheqjes, Haki Gezaj, nuk ka dhënë asnjë detaj rreth punëve që është duke i bërë rreth hetimeve. Thotë se për gjithë këtë punë duhet të flas zëdhënësi i prokurorisë.

“..ju lutem. Nuk jap detaje. Për të gjitha konsultojeni zëdhënësin e prokurorisë”, i ka thënë shkurt gazetës Gecaj.

Ndërkohë, aktakuza e veteranëve e cila u bë gati nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje pa e dërguar atë në gjykatë. Blakaj akuzonte pikërisht eprorin e tij, Reshat Millakun, se e ka ‘tradhtuar’ gjatë përgatitjes së kësaj lënde.

Në letrën publike të shkruar nga Elezaj thuhej se ai dhe Millaku ishin dakorduar që për hetimet rreth listave të veteranëve të mos e informojnë kryeprokurorin e Shtetit, Aleksander Lumezin.

Elezaj akuzonte Lumezin se e ka penguar në punën e tij kur ka marrë në pyetje politikanë rreth aferës “Pronto”, por edhe gjatë hetimeve në rastin e veteranëve të rrejshëm./GazetaExpress/

the authorE B