Rajon & Botë

Alarm nga Izraeli, Trump rrezikon nxitjen e konfliktit

Që Donald Trump nuk do të jetë një president si të tjerët në SHBA, kjo ishte e qartë që prej fillimit. Por ndërsa u shpresua se shumë prej planeve të polemizuara do të mbeteshin thjesht një premtim elektoral, personat që ai po zgjedh rreth vetes tregojnë të kundërten.

Listës së emerimeve aspak të zakonta për Uashingtonin i shtohet edhe David Friedman, ndjekësi i linjes së ashpër që do të shërbejë si ambasador amerikan në Izrael.

Avokati 57-vjeçar është një kritik i ashpër i zgjidhjes së dy shteteve në konfliktin Izrael-Palestinë dhe mbështet gjithashtu kolonitë hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor, të cilat Obama i konsideronte një pengesë për paqen.

Një grup liberal hebraik e kundërshtoi emërimin, ndërsa konservatorët e mirëpritën atë. Që me deklaratën e tij të parë pas caktimit të postit, u kuptua se Friedman do të trazojë ndjeshëm ujërat.

Ai tha se po priste me padurim të punonte për Ambasadën amerikane në qytetin e përjetshëm të Izraelit, Jeruzalemin, një deklaratë kjo që nuk ka sesi të mos zemërojë palestinezët.

OKB nuk e njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe Ambasada amerikane ka qenë e vendosur në Tel Aviv për dekada me radhë. Por Donald Trump premtoi gjatë fushatës presidenciale të zhvendoste atë në Jeruzalem./TopChannel/