Aktuale

Albin Kurti tregon çfarë gjykate i duhet Kosovës në vend të Gjykatës Speciale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar thirrjet që ka nisur Gjykata Speciale për ish- luftëtarët e lirisë. Ai tha se Kosovës i duhet një gjykatë që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe jo kjo gjykatë e Hagës.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook, Kurti ka shtruar nevojën që të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar.

Ky është shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Ndodhemi në javën kundër korrupsionit të një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër. Dhe, në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës.

Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit”.

Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve. Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar.

E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata!