Aktuale

Albin Kurtit nga sot i fillon numërimi mbrapsht prej 15 ditësh

Dita e sotme është vendimtare lidhur me krijimin ose jo të Qeverisë së re të Kosovës. Kjo për shkakun se nga sot me propozimin zyrtar që bëri Lëvizja Vetëvendosje edhe fillon numërimi mbrapsht i kohës prej 15 ditë për fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin.

Lëvizja Vetëvendosje në orët e hershme të mëngjesit të sotëm edhe zyrtarisht e ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ky vendim vjen pas disa kërkesave të presidentit Hashim Thaçi për të formuar sa më shpejt institucionet e vendit. Vendimi i është dorëzuar presidentit Hashim Thaçi.

Kështu tani u është dhënë fund pritjeve, pasi me sot është përcaktuar edhe afati kohor për fituesin e zgjedhjeve që të formojë Qeverinë e re të vendit, shkruan FaktePlus.

Kurti ka në dispozicion një afat 15 ditë  që të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë për të tjetër që kanë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.

Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.

Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.

Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të dy partive./FaktePlus