Aktuale

Aldisoni varroset sot pranë Arielës, djali i dajës: Janë gjëra të jetës, mund t’i ndodhë çdokujt

Aldison Belulaj ka ndërruar jetë ditën e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, teksa ndodhej prej një jave në gjendje kritike për jetën. Sot rreth orës 13:00 ai do të përcillet për në banesën e fundit.

Për mediat ka folur djali i dajës së Aldisonit, Astrit Koroveshi. Ai ka bërë me dije se ndodheshin pranë Aldisonit të gjithë familjarët, në momentet e tij të fundit dhe se dy të rinjtë do të prehen në të njëjtat varreza.

Aty ku një javë më parë u varros e reja Arjela Murati, sot do të prehet edhe trupi i Aldisonit.
Astriti tha:

Në momentet e tij të fundit ishim të gjithë familjarët atje. Do të prehen të dy në të njëjtat varreza, në Zharrëz”.
I pyetur nëse i trembet një hasmërie mes fiseve, djali i dajës së Aldisonit e mohoi këtë gjë, duke thënë se dy të rinjtë duheshin dhe nuk u vranë pa pasur asnjë lidhje mes tyre.

Ai shton më tej:

S’kemi pse të trembemi sepse ndodhi diçka që ishte midis çiftit. Duheshin, kërkonin lidhje për martesë, jo për tallje. S’është se vramë dikë apo na vranë pa lidhje fare. Ajo që ndodhi s’ishte mirë as për ne e as për ata”.
Teksa e pyetën në lidhje me kurorat e vendosura disa ditë më parë në vendin ku u vra Ariela Murati, në Tiranë, Astriti sqaron:

Kurorat na takonin t’i vendosnim. Është diçka që mund t’i ndodhë çdokujt. Ne jemi njerëz.
Në përfundim ai e mbyll bisedën e tij me mediat, me një apel për paqe, teksa nuk nguron të shtojë se kjo është diçka që mund t’i ndodhë çdo çifti.

Astrit Koroveshi konkludon:

Paqe kërkojmë nga të dyja palët. Ata e deshën njëri-tjetrin dhe vdiqën për një martesë. Janë gjëra të jetës që mund të ndodhin në një çift. Uroj të mos i ndodhë asnjërit dhe të kemi të mira nga të dyja palët”.
Kujtojmë se më 21 janar 2018, Aldison Beluli qëlloi me armë ndaj ish të dashurës, Ariela Muratit, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e tij për një fejesë. Menjëherë pasi vrau të renë, Aldisoni drejtoi armën nga vetja. Pas një jave në gjendje kritike për jetën, ai vdiq ditën e djeshme në spital.