Aktuale

Ali Ahmeti nderon dëshmorët e çështjes kombëtare

Solemnitetet e festës së madhe kombëtare, 28 Nëntorit, Ali Ahmeti i nisi nga monumenti i “Nënës Shqiptare” në Zajaz të Kërçovës, ku në shenjë respekti, nderoi simbolin e sakrificave të popullit shqiptar në mbrojtje të flamurit dhe kombit para të cilit janë përkulur dhe do të përkulen gjenerata të tëra.

“Sot është një ditë e shënuar për tërë kombin shqiptar. Ditën e Flamurit, ne shqiptarët e Maqedonisë po fillojmë t’a kujtojmë që nga monumenti i “Nënës Shqiptare” në Komunën e  Kërçovës she kujtojmë të gjithë ato brezat dhe sakrificat, të gjitha ato përpjekje titanike që ka bërë kombi ynë për të pasur lirinë kombëtare, për të pasur shtetin e vet“, tha z.Ahmeti.

Sipas njoftimi për media nga BDI, Ahmeti me këtë rast tha se nuk duhet harruar assesi përpjekjet dhe vuajtjet e popullit që të arrihen idealet tashmë të shkruara në shkronja të arta të historisë së popullit shqiptar.

“Ne duhet ti kujtojmë si përpjekje me plot vuajtje e mjerim, duke e paguar me çmim më të lartë të bijëve dhe bijave më të mirë të këtyre viseve. Dhe tani kemi obligim që me nderin më të madh që këto njerëz dhe sakrifica ti kujtojmë, që të mos e harrojmë të kaluarën dhe të ndërtojmë të ardhmen”, tha më tej Ahmeti.

Pas nderimeve në Kërçovë, aktivitetet solemne, Ahmeti i vazhdoi në Sllupçan të Kumanovës ku bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve. Në shoqëri të Ahmetit ishin edhe bashkëpartiakët e tij, Bekim Neziri, Sadulla Duraku, Ejup Alimi, Artan Grubi dhe të tjerë.

Ahmeti, pas Sllupçanit, nderoi edhe dëshmorët e fshatit Hotël, ku dhe u vendosën kurora lulesh në shenjë respekti e përkujtimi. Në këtë ditë u nderuan edhe dëshmorët e Haraçinës.