Aktuale

Ambasadori gjerman në Beograd ka një kërkesë për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se taksa është pengesa kryesore e dialogut Kosovë-Serbi.

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka vlerësuar se taksa prej 100 për qind është pengesa kryesore për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe se sipas tij, ende nuk dihet kur do të mund të rifillojë ky dialog.

Ai tha se Gjermania dhe Franca po përpiqen së bashku që të rikthejnë dialogun dhe se sipas tij, Berlini disa herë i ka kërkuar Prishtinës që ta heq taksën.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në Beograd dhe Prishtinë është me rëndësi të madhe dhe prandaj, me partnerët tanë francezë, u përpoqëm të mbajmë një takim në Paris që nuk ndodhi, gjë që nuk do të thotë se ajo ishte anuluar, ishte shtyrë dhe kur do të mbahet nuk mund të them asgjë”, tha ambasadori Schieb, transmeton lajmi.net.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të të kenë një angazhim të rëndësishëm në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, por që sipas tij, formati i tanishëm i negociatave nuk duhet të ndryshohet.

“Formati i dialogut është i qartë dhe bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë bëhen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme që vendet e tjera, si Shtetet e Bashkuara të mbështesin këtë proces, jam optimist dhe besoj se me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, dialogu do të marrë një veprim shumë të shpejtë pas bllokomit”, u shpreh ambasadori gjerman.

Duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit francez Macron se asnjë anëtar i ri nuk do të pranohet derisa të përfundojnë reformat e brendshme të BE, Schieb tha se pozicioni i Berlinit është se ka dy procese të veçanta që mund dhe duhet të ndodhin paralelisht.

“Reformat brenda BE-së do të ndodhin për sa kohë ekziston, me qëllim që të përmirësohet dhe të përshtatet me kushtet e reja. Është një proces i përhershëm që nuk pengon pranimin e anëtarëve të rinj, me kusht që vendet kandidate të përmbushin të gjitha kushtet. Serbia po zbaton reforma të vështira që do të kërkojnë kohë dhe BE po zbaton reformat e saj dhe në një moment Serbia do të bashkohet me BE. Këto janë procese që ndodhin në të njëjtën kohë, jo njëra pas tjetrës”, deklaroi Schieb, transmeton më tutje lajmi.net.

Theksojmë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallra serbe e boshnjake.

Ky dialog është bllokuar nga pala serbe pasi që po insiston në heqjen e taksës e në anën tjetër, Kosova insiston që Serbia ta njohë pavarësinë dhe taksa të mos hiqet. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli