Aktuale

Ambasadori Greiçevci bën homazhe te shtëpia e George Michael: Do ta mbajmë mend ndihmën e tij

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Graiçevci, ka bërë homazhe para shtëpisë së yllit të muzikës pop, George Michael, i cili vdiq më 25 dhjetor nga sulmi në zemër

Graiçevci përmes një statusi në Facebook ku ka publikuar edhe fotografi të homazheve, thotë se George Michael ishte njeriu që i dhuroi kënaqësi miliona fansave nëpër tërë botën, shkruan Express.

“Humanizmi dhe bamirësia ishin një dhunti tjetër e artistit”, ka shkruar ai.

Nuk e la pa e përmendur edhe kontributin që Michael e bëri për Kosovën, kështu duke dhuruar 500 mijë funta për popullin tonë, në momentet më të vështira të mbijetesës kolektive, “do të mbahet mend dhe do të çmohet përherë”.

“Lavdi i qoftë”, shkruan Graiçevci.

Statusi i tij i plotë:

Sot bëra homazhe para shtëpisë së yllit të pop muzikës, George Michael, njeriu i cili me zërin e tij të bukur u dhuroi kënaqësi miliona fansave, gjithandej nëpër botë. Humanizmi dhe bamirësia ishin një dhunti tjetër e artistit. Ai nuk zgjodhi vetëm të merrte nga bota, por mbi të gjitha mësoi se lumturia e vërtetë rrjedh nga ajo se sa bën dhe jep për të tjerët. Gjesti i tij human për t’i dhuruar 500 mijë funta për popullin e Kosovës, në momentet më të vështira të mbijetesës kolektive, do të mbahet në mend dhe do të çmohet përherë. Lavdi i qoftë!