Aktuale

Analistët thonë se Grenell në mënyrë të tërthortë kërkoi krijimin e shpejt të qeverisë

Vizita e Grenellit në këtë kohë, në këtë moment, është një mesazh shumë i qartë se SHBA-të janë të interesuara që të krijohet qeveria sa më shpejt, kështu vlerësojnë analistët politik në vend.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë -Serbi, Richard Grenell është duke qëndruar në Kosovës.

Grenell mbrëmë u takua me presidentin e vendit Hashim Thaçi, me të cilin tha se biseduan për dialogun me Serbinë, mirëpo mohoi se është këtu për të ndërhyrë në bisedimet mes VV-së e LDK-së për arritjen e një koalicioni qeverisës.

Mirëpo sot, Grenell, u takua edhe me krerët e këtyre subjekteve veç e veç.

Fillimisht, Grenell u takua me Kreun e VV-së, Albin Kurtin, me të cilin tha se ka biseduar vetëm për çështjet ekonomike, derisa theksoi se dëshiron “të lë anash çështjet politike”.

Por, se a pati presion dhe se a lidhet vizita e Grenellit me mosmarrëveshjet mes VV-së e LDK-së për moskrijimin e institucioneve të reja të Kosovës, analistët politikë në vend theksojnë se vizita e Grenell në këtë kohë, në këtë moment, është një mesazh shumë i qartë se SHBA-të janë të interesuara që të krijohet qeveria sa më shpejt.

Analisti Imer Mushkolaj, duke folur për lajmi.net, thotë se vizita e Grenellit është e qartë se SHBA-të kërkojnë krijimin e shpejt të qeverisë.

Mushkolaj konsideron se as presioni ndërkombëtar, veçanërisht amerikanë, nuk do të mungojë, duke shtuar se vizitën e Grenellit në një far forme e ka parë si një përpjekje që të shtyj tutje palët që të bëjnë marrëveshje.

“Natyrisht që Grenell nuk tregon se a është e interesuar SHBA me ndërhy apo jo, pasi që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe i din më mirë punët e veta sesa SHBA-ja. Mirëpo vetë vizita e Grenell në këtë kohë, në këtë moment është një mesazh shumë i qartë se SHBA-të janë të interesuara që të krijohet qeveria sa më shpejt. Edhe deklaratat e Grenell se duhet të vazhdojë dialog, duhet të vazhdojë zhvillimi ekonomik, ato të mbrëmshmet sidomos me presidentin Thaçi, e kanë këtë mesazh, sepse as dialogu nuk mund të vazhdojë, as të ndodh zhvillimi ekonomik pa krijimin e qeverisë. Pra në një farë forme, ai në mënyrë të tërthortë kërkoi krijimin e shpejt të institucioneve dhe SHBA-të janë të  interesuara që kjo të ndodh shpejt.  Natyrisht se së pari duhet me i lënë palët të merren vesh derisa lejojnë afatet kushtetuese, por konsiderojë se as presioni ndërkombëtar, veçanërisht amerikanë nuk do të mungojë, veçanërisht vizitën e Grenellit në një far forme e kam parë si një përpjekje që me i shty tutje palët që të bëjnë marrëveshje”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe, analisti Rasim Alija thotë se vet prania e Grenellit në dy selit të VV-së dhe LDK-së, është sinjal për përfshirje të mundshme dhe një lloj presioni që e bëjnë SHBA-të për afrimin e këtyre dy subjekteve politike.

“Edhe pse z. Grenell pas takimeve edhe me Lëvizjen Vetëvendosje edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka deklaruar se nuk janë të interesuar dhe se roli Amerikës, e posaçërisht i tij, nuk është për përfshirjen në arritjen e një koalicion. Unë e shoh si një përpjekje, vet prania e tij në dy selit të VV-së dhe LDK-së, është sinjal për përfshirje të mundshme dhe një lloj presioni që e bëjnë SHBA-të përmes Z. Grenell dhe jo vetëm tij, për afrimin e këtyre dy subjekteve politike. Edhe pse z. Grenell nuk e ka pranua që roli i tij është pikërisht ky dhe arsyeja e vizitës së tij është kjo, unë mendoj që pikërisht është e përfshira edhe ambasada e SHBA-ve, mirëpo në këtë rast edhe vet z.Grenelle. Jo rastësisht ka pasur takime edhe me LDK-në, takimet e 26 dhjetorit të viti 2019”, thotë ai.

Alija tutje thotë se në këtë takim këto takimi një fokus të madhe e ka edhe çështja e dialogut dhe qasja e këtyre dy subjekteve politike, veçanërisht VV-së karshi dialogut.

“Të gjitha këto janë sinjale të një lloj përfshirje të SHBA-ve në arritjen e një koalicioni mbi të gjitha një interesi i shtuar i SHBA-ve me VV-në kuptimin e qasjes së VV-së karshi dialogut, sepse ky koalicion nëse arrihet, mes LDK e VV, mbi të gjitha sfidë kryesore do ta kenë çështjen e dialogut. Pikërisht edhe këto takimi një fokus të madhe e ka çështja e dialogut dhe çështja e këtyre dy subjekteve politike, veçanërisht VV-së karshi dialogut. Pra është një lloj vizite, një lloj presioni që u bëhet të dyja subjekteve politike për të mësuar çështjen e dialogut edhe për të afruar qëndrimet e këtyre subjekteve politike për një koalicion të mundshëm”, ka thënë Alija.

Ndryshe, Grenell pas vizitës në Kosovë, do të shkojë edhe në Beograd, ku nesër pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. 

the authorGazetaKNN