Sport

Ankohet Januzaj: Unë kam cilësi për të luajtur në Man United, ama Mourinho s’ma dha rastin kurrë

Kosovari i Belgjikës, Adnan Januzaj, beson se është mjaft i mirë dhe i posedon cilësitë për të qenë pjesë e Manchester Unitedit, por insiston se Jose Mourinho nuk ia dha mundësinë asnjëherë.

23-vjeçari debutoi për “Djajtë e kuq” në një ndeshje të FA Community Shield në vitin 2013 dhe vlerësohej nga shumë si pasardhës natyral i Ryan Giggs, pasi bëri paraqitje shumë pozitive në muajt e parë nën udhëheqjen e David Moyes

Megjithatë, anësori kosovar nuk i përmbushi kurrë pritshmëritë dhe përfundimisht u lejua të larohet nga Unitedi për t’i bashkuar Real Sociedadit në verën e vitit 2017, kur Mourinho e cilësoi si tepricë në skuadrën e tij.

Por, Januzaj ndien e nuk iu dha rasti mjaftueshëm si lojtar i ri për t’i treguar cilësitë e tij nën udhëheqjen e trajnerit portugez, i cili e huazoi përfaqësuesin e Belgjikës në Sunderland menjëherë pasi e mori drejtimin e Unitedit në vitin 2016, para se ta lejonte të largohet nga klubi përfundimisht.

“Nuk më është dhënë mundësia vërtet, sepse në atë kohë ai [Mourinho] ndoshta dëshironte lojtarë me përvojë dhe të njohur”, tha Januzaj për Sky Sport.

Januzaj, megjithatë, insiston se tani e ka gjetur lumturinë në Spanjë me Real Sociedadin.

“Për mua, nuk ka qenë problem. M’u desh të vazhdoja tutje dhe tani jam i lumtur në Spanjë dhe po e bëj dallimin. Gjithmonë e kam ditur se i kam cilësitë për të luajtur për Manchester Unitedin. E di çfarë jam në gjendje të bëj”, shtoi ai.

“Nuk ma dhanë mundësinë, por nuk ka problem. Jam i lumtur në Spanjë dhe po e shijoj futbollin tim”, shtoi ai. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli