Aktuale

Apeli vërteton dënimin ndaj policit që akuzohej për keqpërdorim detyre

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me kusht ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës, Xhevahir Xhimshiti, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjykata Themelore në Gjilan, në nëntor të vitit të kaluar, të akuzuarin Xhimshiti, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës apo i autoritetit zyrtar dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 10 muaj burgim me kusht, por i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në periudhën kohore prej dy viteve, nga plotfuqishmëria e aktgjykimit nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Kundër këtij aktgjykimi ankesë në Apel kishte ushtruar, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ekrem Pira dhe atë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.

Mbrojtja e të akuzuarit kishte propozuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet nga akuza apo lënda të kthehet në rivendosje.

Lidhur me ankesën e mbrojtjes, ishte deklaruar edhe Prokuroria e Apelit e cila gjykatës së shkallës së dytë i kishte propozuar që ta refuzon ankesa e mbrojtësit të akuzuarit, ndërsa, aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Mirëpo, pretendimet e mbrojtjes për shkeljet e bëra nga shkalla e parë, Gjykata e Apelit i ka hudhur poshtë si të pabazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës se Apelit, pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk qëndrojnë, se nuk ka shkelje të dispozitave të procedurës penale të pretenduar në ankesë dhe dispozitivi i aktgjykimit është i qartë dhe i kuptueshëm.

Tutje, Apeli ka vlerësuar se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga gjykata e shkallës se parë, pas administrimit të provave materiale, raportit mbi implementimin e masave fshehta të hetimit dhe vëzhgimit-përgjimit të telekomunikimeve dhe dëgjimit të dëshmitarëve dhe të akuzuarit

“Gjykata e Apelit, gjendjen faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë e aprovon, sepse e njëjta është e bazuar në provat që i ka administruar gjykata e shkallës se parë e që gjinden në shkresat e lëndës, si dëshmitë e dëshmitarëve të cekur më lartë, përgjimet e bisedave telefonike nga të cilat është vërtetuar se i akuzuari vazhdimisht ka biseduar me dëshmitarët duke i informuar se kur mund të transportojnë mallin pa u ndaluar nga ana e policisë, e që as i akuzuari nuk e ka mohuar se ka pasur biseda telefonike me këta persona.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sa i përket vendimit mbi dënim, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejt i ka vlerësuar rrethanat që ndikojnë në llojit dhe lartësisë se dënimit, kurse mbrojtja nuk ka cekur ndonjë rrethanë konkrete e cila kishte me ndikuar që dënimi të jetë më i butë, apo i akuzuari të lirohet nga akuza.

Ndryshe, Xhevahir Xhimshiti edhe në gjykimin e parë, më 8 korrik të vitit 2016, ishte dënuar me dhjetë muaj burgim, me kusht që në afat prej dy vjetësh nuk kryen vepër të re penale.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit më 8 nëntor 2016, kishte kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.

Ky gjykim është zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila pretendonte se i akuzuari gjatë periudhës prill – maj 2013, në cilësi të zyrtarit policor në Regjionin e Lindjes në Kaçanik, tek “Vija e Gjelbër”, kishte shpërdoruar detyrën zyrtare.

Sipas prokurorisë, i akuzuari përgjatë vijës kufitare Debëllde-Stanqiç, në mënyrë të vazhdueshme u kishte ndihmuar kontrabanduesve të mallrave, të fusin mallra nga territori i Maqedonisë në Kosovë. Prokuroria pretendon se i akuzuari kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm përmes celularit me kontrabandistët, ndërsa pas hetimit me masa të fshehta ishte zbuluar keqpërdorimi./betimiperdrejtesi.com