Aktuale

Apostollova, e kënaqur me realizimin e projekteve të BE-së

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka qëndruar të martën në Zveçan, ku ka përcjellë nga afër realizimin e projekteve që financohen nga Bashkimi Evropian.

Janë katër projekte të cilat janë duke u realizuar në Zveçan, tri nga to tashmë kanë përfunduar për të cilat BE-ja ka investuar 2.85 milionë euro, shkruan sot, gazeta Zeri.

Zyrtarët komunalë të Zveçanit i kanë thënë Apostollovës se rinovimi i shkollës “Vuk Karaxhiq” dhe projekti i sistemit të furnizimit me ujë dhe të kanalizimit kanë përfunduar, ndërsa kanë filluar punimet në ndërtimin e palestrës së re të sporteve. Për këto projekte BE-ja ka investuar 2.85 milionë euro.

“Në kuadër të projekteve që i ka propozuar dhe i ka zbatuar Komuna e Zveçanit, rikonstruktimi i ujësjellësit sekondar dhe rikonstruktimi dhe renovimi i rrjeti të kanalizimit në Zveçan janë projektet e para për të cilat Komuna e Zveçanit ka marrë përgjegjësinë për t’i realizuar.

Është me rëndësi të themi se të gjitha projektet janë realizuar me sukses dhe se ekipet projektuese kanë treguar përgjegjësi dhe profesionalizëm që na jep kurajë dhe të drejtë të propozojmë edhe projekte të tjera, të cilat do ta avancojnë standardin e jetës së qytetarëve në komunën tonë”, ka thënë Vuçina Jankoviq, kryetar i Zveçanit.

Ai ka shtuar se Komuna ka planifikuar të propozojë edhe projekte të tjera për financim nga BE-ja, kryesisht në infrastrukturën bazike. Jankoviq ka thënë gjithashtu se Zyra e BE-së në Kosovë e njeh Komunën e Zveçanit si partnere kredibile dhe të përgjegjshme në zbatimin e projekteve, në mënyrë që në të ardhmen të ketë bashkëpunim edhe më të mirë.